Ndalohen 7 zyrtarë dhe ish-zyrtarë të ndërmarrjes publike “Ambienti”

1 minute, 7 seconds Read

Prokuroria Themelore në Pejë njofton se sot në orët e mëngjesit, Policia e Kosovës me njësitet relevante ka zbatuar urdhër-kontrollin në ndërmarrjen publike “Ambienti” në Pejë, , ku gjatë këtij operacioni janë shoqëruar në Policinë e Kosovës 9 persona, zyrtarë dhe ish-zyrtarë të “Ambienti”.

“Prokurori i shtetit nga Departamenti i Krimeve të Rënda në Prokurorinë Themelore në Pejë, ka urdhëruar të ndalohen për 48 orë, 7 persona të cilët dyshohen që me veprimet e tyre kanë kryer veprat penale “Keqpërdorim i pozitës zyrtare apo autoriteti zyrtar”, “Legalizimi i përmbajtjes se pavërtetë” dhe “Deklarim i rremë””, njofton prokuroria.

Prokuroria njofton se gjatë urdhër-kontrollit janë siguruar prova të shumta materiale të cilat do shërbejnë për procedurën hetimore në ketë proces penal.

Prokuroria Themelore në Pejë thotë se do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore që kjo çështje penale të ndriçohet.

Po ashtu theksojnë se ky proces penal ka filluar si rezultat i bashkëpunimit të qytetarëve me prokurorin e shtetit, “për çka Prokuroria Themelore e Pejës u është shumë falënderuese”, vijon njoftimi.

“Gjithashtu i inkurajojmë të gjithë qytetarët të cilët kanë informata për kryerje të veprave penale të bashkëpunojnë me prokurorin e shtetit”, thuhet në njoftim.

Publikime te ngjashme