Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati ka reaguar përmes një postim në rrjetin social “Facebook”, pasi LDK ka votuar kundër marrëveshjes ndërkombëtare për asistencën sociale.
Murati ka shkruar se në të kaluarën, ka pasur raste kur marrëveshjet ndërkombëtare nuk kanë kaluar duke mos marrë kuorumin e nevojshëm prej 80 votave, gjë që ka nënkuptuar se janë shtyrë për seancën e radhës, por asnjëherë nuk ka ndodhur që ato të rrëzohen kështu si bëri LDK sot, përcjell Demokracia.com.
Postimi i plotë:
LDK sapo bëri histori në Kuvend!
Është hera e parë që një marrëveshje financiare ndërkombëtare rrëzohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Në të kaluarën, ka pasur raste kur marrëveshjet ndërkombëtare nuk kanë kaluar duke mos marrë kuorumin e nevojshëm prej 80 votave, gjë që ka nënkuptuar se janë shtyrë për seancën e radhës, por asnjëherë nuk ka ndodhur që ato të rrëzohen kështu si bëri LDK sot.
Por ja që LDK votoi kundër, dhe e rrëzoi.
Marrëveshja e nënshkruar me Bankën Botërore kishte për synim reformimin e skemës së ndihmës sociale për të targetuar sa më mirë dhe përfshirë familjet në nevojë, që është aq e nevojshme sidomos në këto kohë.
Po ashtu, projekti kishte synim ndërtimin dhe integrimin e sistemeve që këto familje të mbështeteshin drejt integrimit në tregun e punës, ashtu që mbështetja sociale të ishte e përkohshme, dhe të shërbente si fazë kalimtare deri në punësimin e tyre.
Nga kjo marrëveshje do të përfitonin dhjetëra mijëra familje.