fbpx

Muhaxhiri: VV’së do t’i kthehet si bumerang iniciativa për mocion ndaj Qeverisë Hoti

HomeLajmeKosovë

Muhaxhiri: VV’së do t’i kthehet si bumerang iniciativa për mocion ndaj Qeverisë Hoti

Analisti politik Artan Muhaxhiri po e konsideron të dështuar iniciativën e Vetëvendosjes për mocion mosbesimi ndaj Qeverisë së udhëhequr nga Avdullah Hoti.

Për më tepër, ai po e quan hipokrizi politike një veprim të tillë të një partie që e ka përjetuar të njëjtën gjë në kohë pandemie, njofton Klan Kosova.

“Ekzistojnë dy lloj mocionesh për shkarkime qeverish: kur paraprakisht sigurohen 61 vota dhe menjëherë ndërtohen aleancat për qeverinë e ardhshme, si dhe kur nuk sigurohen votat e domosdoshme ndërsa tentohet të krijohet një perceptim publik për potencialitetin e një plani të tillë dhe synohet prezencë e shtuar mediale”.

“Në këtë rast, Lëvizja VETËVENDOSJE! nuk e ka përkrahjen opozitare të Partisë Demokratike të Kosovës, e as të ndonjërës prej partive të koalicionit qeverisës, prandaj nuk ka asnjë gjasë për sukses”.

Muhaxhiri për klankosova.tv tha se partia e Albin Kurtit do të përballet edhe me pasoja për mocion në pandemi.

“Iniciativa për mocion mosbesimi ndaj Qeverisë Hoti në kohë pandemie është ide e cila do t’i kthehet si bumerang, sepse ky ishte njëri ndër argumentet kryesore të saj për kundërshtimin e mocionit ndaj Qeverisë Kurti, në muajin mars”.

“Në stadin aktual të pandemisë së COVID-19, kur numrat e përditshëm të të infektuarve dhe viktimave në Kosovë janë të pakrahasueshëm me periudhën e marsit, është hipokrizi politike që të kërkohet rrëzimi i një qeverie nga një subjekt i cili e kishte përjetuar të njëjtën situatë”.

Analisti Muhaxhiri mendon që tani është më së e nevojshme që partitë opozitare t’u dalin në ndihmë qytetarëve duke punuar paralel me institucionet. Dhe për Vetëvendosjen ka një propozim konkret.

COMMENTS

x