fbpx

Ministrja Haxhiu do t’i ftojë opozitën në takim për të diskutuar Vettingun

HomeLajmeKosovë

Ministrja Haxhiu do t’i ftojë opozitën në takim për të diskutuar Vettingun

Brenda kësaj jave pritet që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti bashkë me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu t’ju dërgojnë ftesa liderëve të partive opozitare për takim. Temë diskutime në këto takime që do të mbahen veçmas me opozitën do të jetë procesi i vettingut për të cilin vetë ministrja Haxhiu zotohet se do ta mbyllë brenda mandatit të saj.

Në një intervistë për KosovaPress, ministria Haxhiu u shpreh se reforma në drejtësi kërkon unifikim politik, prandaj u shpreh se bashkë me Kurtin kanë planifikuar takime me partitë opozitare.

“Ne planifikojmë që së bashku me kryeministrin që t’i takojmë grupet opozitare fillimisht që t’i njoftojmë ata edhe për planifikimet që i kemi në raport me procesin dhe t’i ftojmë në qoftë se kanë çështje që mendojnë që duhet t’i adresojnë që ta bëjnë ata. Është e vërtetë që nuk është praktikë që ende pa u përmbyllur hartimi i dokumenteve pranë ministrive të japin kontribut partitë opozitare, sepse pastaj kontributi i tyre jepet në Kuvendin e Kosovës, mirëpo duke marrë parasysh ndjeshmërinë e procesit dhe domosdoshmërinë për ta përmbyllur me sukses këtë proces ne do t’i ftojmë subjektet opozitare në takime… Do të ftohen ndaras më parë, veç e veç, grupet parlamentare, gjegjësisht liderët e partive politike në këto takime. Uroj që t’i përgjigjen pozitivisht ftesës sonë për takime, nuk varet vetëm nga vullneti ynë duhet vullnet i përbashkët, prandaj uroj që t’i përgjigjen pozitivisht por që përpjekja jonë për këto takime do të jetë pa filluar muaji i ardhshëm, korrik… Së pari kemi konsideruar se duhet të kemi takime veç e veç me secili grup parlamentar”, deklaroi ministrja e Drejtësisë.

Për këtë proces të cilin si qeveri e kishin planifikuar në të gjithë sistemin e drejtësisë, por Komisioni i Venecias më pas rekomandoi që të bëhet vetting vetëm për krerët e KPK-së, KGJK-së dhe kryeprokurorë dhe kryetarë të gjykatave, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu thotë se diku ka prilli i vitit 2023 do të nisë punën mekanizmi kalimtar për procesin e vettingut.

“Nëse veprojmë sipas planifikimeve tona, besoj që pasi që ne t’i dërgojmë amendamentet kushtetuese në Kuvendin e Kosovës kryetari i Kuvendit obligohet që t’i dërgojë për mendim në Gjykatën Kushtetuese sepse amendamentet kushtetuese marrin një dritë të gjelbër pasi ato të votohen në Kuvend dhe nuk mund ta dimë se sa kohë merr Gjykata Kushtetuese për t’i trajtuar këto amendamente mirëpo, planifikimet tona janë që deri pas tremujorit të parë të vitit të ardhshëm të nis puna e mekanizmit kalimtar. Keni parasysh ë pastaj është procesi i zgjedhjes së trupave, por brenda mandatit qeverisës katërvjeçar jam e bindur që procesi do të përmbyllet”, u shpreh ajo.

Edhe në takimin e grupit

grupit punues që u mbajt dje për procesin e vettingut nuk morën pjesë përfaqësues të Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe atij Gjyqësor. E kjo sjellje po i duket e paarsyeshme të parës së drejtësisë kosovare.

“Kur kemi tash një opinion prej Komisionit të Venecias që është një trup shumë profesional dhe konsideroj që objektivisht i ka trajtuar çështje të tilla edhe i kanë adresuar mendoj që nuk ka asnjë arsye për të thënë që ne nuk i respektojmë rekomandimet e Komisionit të Venecias. Kosova nuk e ka luksin që të jetë një vend që nuk zbaton rekomandimet e Komisionit të Venecias… Nuk mund të ketë arsye tjetër për sa kohë ne si qeveri jemi të interesuar që ta zbatojmë në përpikëri opinionin e Venecias nuk mendoj që mund të jetë dikush se ‘jo ne nuk duam ta zbatojmë si të tillë’. Prandaj, pavarësisht mungesës së tyre në këtë grup punues ne do të vazhdojmë përpjekjet tona për bashkëpunim me ta, por mendoj që ne nuk kemi mënyrë tjetër për të dëshmuar vullnetin tonë për bashkëpunim përveçse t’i thërrasim në këto takime”, theksoi Haxhiu.

Ndryshe, opinionet e Komisionit të Venecias për vettingun bashkë me Byronë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme janë publikuar në fillim të javës së kaluar.

COMMENTS

x