Ministrja e Drejtësisë ka kritika të ashpra për Institucionet e drejtësisë: “Ato po e keqpërdorin pozicionin e tyre, duhet ta dijnë që nuk janë mbi shtetin dhe Kushtetutën”

8 minutes, 39 seconds Read

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu beson që dy premtimet kryesore që ka vendosur para vetës atë për procesin e Vetingut dhe Byronë për Konfiskim dhe Verifikim të Pasurisë së Pajustifikueshme do të jetësohen në gjysmën e dytë të vitit 2023. E para e drejtësisë mendon se institucionet e drejtësisë po e keqpërdorin pozicionin e tyre dhe se ato nuk janë mbi shtetin dhe Kushtetutën e Kosovës.

Haxhiu thotë se opinioni i dytë i Komisionit të Venecias sa i takon ligjit për Byronë për Konfiskim dhe Verifikim të Pasurisë së Pajustifikueshme ka qenë pozitivë dhe në janar pritet që këto ndryshime të votohet në Komisionin Parlamentar për Legjislacion.

Ministrja Haxhiu thotë se po planifikojnë që procedurat tjera për përzgjedhjen e drejtorit dhe stafit të kësaj Byroje të ndodhin në pjesën e dytë të vitit që sapo kemi hyrë.

“Sipas planifikimeve tona në momentin kur Kuvendi i Kosovës e voton në lexim të dytë, e presim që kjo të ndodh në janar, pra në këtë muaj, është jashtëzakonisht e rëndësishme që pastaj të nis edhe shkrimi i akteve nënligjore pasi ligji parasheh që brenda 6 muajve të nis hartimi i akteve nënligjore. Ne mendojmë se duhet të jetë një afat pak më i shkurtër, sepse kemi nevojë jashtëzakonisht shumë për këtë ligj. Jam e bindur se do të arrijmë t’i finalizojmë aktet nënligjore. Pastaj, në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2023 nis edhe procedura për zgjedhjen e drejtorit dhe stafit tjetër mbështetës që do të punojnë në këtë institucion. Pra planifikimet janë që në gjashtëmujorin e dytë të nisen procedurat për zgjedhjen e këtij institucioni dhe më pastaj marrja e përgjegjësve nga i njëjti”, tha Haxhiu për Kosovapress.

Ministrja e Drejtësisë thotë se derisa dy vitet paraprake shërbyen për të punuar në koncept-dokumente e amendamente kushtetuese për Vetingun por edhe për Projektligjin për Byronë, gjysma e vitit 2023 duhet t’i gjejë duke jetësuar në praktikë të dyja këto procese.

“Nëse 2021 nga marsi e tutje dhe 2022 na kanë shërbyer për të punuar koncept-dokumente për të hartuar dokumente të projektligjit, amendamentet kushtetuese qoftë për Vetingun, qoftë për Byronë për Konfiskim të Pasurisë, unë mendoj që pjesa e dytë e vitit 2023 do të duhej të na gjente në jetësimin e këtyre reformave. Të gjithë do të duhej të ishim me këtë qëllim që nga gjashtëmujori i dytë i vitit 2023 të nis zbatimi i punëve të cilat i kemi adresuar. Sigurisht që tashmë kjo është në dorën e Kuvendit të Kosovës dhe sigurisht që po të ishte në dorën e Ministrisë së Drejtësisë do ta shihja edhe kur mund të përfundojë, por sipas komisionit afati i tyre është 6 +6 muaj. Unë uroj që të përfundojnë me 6 muaj, sepse nuk ka mbetur shumë punë, pasi Komisioni i Venecias na ka treguar saktë dhe strikt se si të vazhdojmë tutje. Amendamentet kanë përfunduar, janë vetëm edhe disa ndryshime që duhet bërë në ligj. Pra, ekziston projektligji, por ai nuk është i harmonizuar me rekomandimet e Venecias, sepse kështu ka kërkuar opozita që ne të mos e përfundojmë të gjithë punën. Prandaj, nëse ka vullnet, unë jam e bindur se do të përfundojë në fundin e vitit 2023 nëse Kuvendi i Kosovës dhe nëse të gjitha partitë politike punojnë me vullnet dhe nuk tentojnë që të pengojnë procesin”, thotë Haxhiu.

Për procesin e Vetingut nevojitet edhe mbështetja e opozitës, për çka e para e drejtësisë konsideron se nuk ka munguar.

Ajo thotë se aktualisht nuk dëshiron të flas për një plan B nëse rast se nuk ecin me atë që është planifikuar sa i takon procesit të Vetingut, por thekson se kanë menduar edhe zgjidhje të tjera.

Megjithatë, ajo adreson kritika për ligjvënësit opozitarë të cilët e kanë dërguar në Gjykatën Kushtetuese Projektligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës, të cilin vetë Haxhiu e konsideron si reformën më të madhe në sistemin prokurorial.

“Reforma më e madh që ka ndodh deri tani, e që ka mund të jetësohet shumë më parë, ka qenë reforma në Këshillin Prokurorial të Kosovës. Madje e dini që atë e kemi bërë në bashkëpunim të plotë me Komisionin e Venecias. E kemi marr madje edhe opinionin e dytë për tu bindur, sikurse për Byronë, se i kemi adresuar të gjitha rekomandimet. Por, pavarësisht kësaj opozita e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese. Dhe fatkeqësisht e ka vonuar procesin, dhe sigurisht që është problem. Unë pajtohem që ata e kanë të drejtën e tyre kushtetuese, por të thuash se jemi për reforma në drejtësi e në anën tjetër të tentosh të pengosh përmes formave kushtetuese për me zvarrit këto reforma, sigurisht se ka shpërputhje në këtë mes. Ju e dini që shumica dërrmuese e qytetarëve të Kosovës e duan reformën në drejtësi, e duan Vetingun në sistemin e drejtësisë… Deri tani konsideroj sa ka qenë konstruktiv rreth Vetingut, uroj që ky konstruktivitet të vazhdojë… Nuk do të doja që të dilja në planin B, sepse qëndroj fuqishëm në planin A. Sigurisht që pastaj do ta vlerësojmë situatën dhe kemi zgjidhje. Patjetër që kemi zgjidhje, por nuk do të doja që të shkonim në një plan tjetër për sa kohë plani A do të duhej të na përbashkonte të gjithëve”, thekson ministrja e Drejtësisë.

Gjatë vitit të kaluar ka pasur mospajtime të mëdha mes ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe atij Prokurorial që kryesisht kishin të bënin me kundërshtime për procesin e Vetingut dhe vendimin e uljes së pagave për gjyqtarët dhe prokurorët.

Haxhiu konsideron se këtyre institucioneve po u pengojnë reformat në sistemit në drejtësisë, ndërsa bojkotin e këtyre institucioneve karshi qeverisë e konsideron veprim për keqardhje.

Sipas saj, institucionet e drejtësisë po e keqpërdorin pozicionin e tyre.

“Problemi më i madh që ata kanë është për shkak të reformës në drejtësi, në Këshillin Prokurorial të Kosovës shkak të Vetingut, në radhë të parë të sistemit të drejtësisë. Sa i përket vendimit të pagave është për keqardhje qëndrimi i tyre, bojkot shtetit. Është për keqardhje. Institucionet e drejtësisë nuk janë mbi Kushtetutën e shtetin ata shumë shpesh e shohin veten që janë edhe mbi Kushtetutën dhe mbi shtetin. Në emër të pavarësisë ata po e keqpërdorin pozicionin që po mbajnë. Ata duhet të jenë llogaridhënës dhe transparent, Nuk ka ministër, kryeministër të Qeverisë tonë që thërret prokurorët dhe gjyqtarët dhe u thotë vendos kështu për këtë rast, apo ashtu për këtë rast. Ka kaluar koha e atyre gjërave. Por që, fatkeqësisht, për shkak të vendimit të pagave që ne e morëm me të drejtë, sepse ishte vendim i paligjshëm ishte procedurat ligji i pagave ata treguan që janë të interesuar vetëm për aspektin material dhe jo edhe për përgjegjësitë që kanë”, thekson ajo.

Projektligji për Kodin Civil i cili nuk mori mbështetje vitin e kaluar madje as nga disa deputetë të mazhorancës, ministrja e Drejtësisë po synon ta dërgojë përpara në muajt e parë të këtij viti.

Haxhiu thotë se neni i cili ngjalli debat dhe mos mbështetje nga të zgjedhurit e qytetarëve nuk do të ndryshohet.

“Ne nuk do ta ndryshojmë atë nen. Ajo çfarë ne kemi bërë është se ne kemi pas diskutimet me deputetët e grupit tonë parlamentar. Nga ata, të cilët kanë abstenuar, kemi marr qëndrim se do ta mbështesin si të tillë. Kanë pasur arsyet e veta dhe kanë qenë të ndikuar nga diskutimi e kështu me radhë. Është e vërtetë që deputetët nganjëherë mund të kenë edhe presione nga grupe të ndryshme nga individë të ndryshëm, por presioni nuk duhet të na udhëheqë neve dhe në këtë drejtim ne konsiderojmë është një dokument i rëndësishëm dhe një pjesë e tij është diskutuar madje veç një nen është diskutuar. Është një dokument që qytetarët kanë nevojë sepse lidhet me nevojat që kanë. Prandaj, besoj që në muajt e parë të vitit 2023 do të kaloj”, thekson Haxhiu.

Në majin e vitit 2022 ministria e Drejtësisë nënshkroi marrëveshje me shtetin e Danimarkës për dhënien me qira të qelive në Qendrën e Paraburgimit në Gjilan.

E ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu thotë se kjo marrëveshje shumë shpejt do të procedohet në Kuvendin e Kosovës për ratifikim.

“Arsyeja se pse ende nuk është proceduar është për shkak se Danimarka ka qenë në proces zgjedhor dhe sipas informacioneve partia e njëjtë ka fituar mandatin dhe jemi dakorduar që pas përfundimit të zgjedhjeve dhe krijimit të qeverisë së re ta nisim vazhdimin e procedurave… Në kuptim të opozitës ne nuk kemi parë vërejtje sa i përket shoqërisë civile nuk kemi parë kundërshtime përveç KMDLNJ ka pasur aspekte apo propozime por jo kundërshtime… Por, kjo marrëveshje besoj që do të shkoj në Kuvend shumë shpejt tash jemi në fazat përfundimtare gjithçka është adresuar dhe pastaj Kuvendi i Kosovës në këtë drejtim jam pak më lehtë se ai është Kuvendi që me 2/3 vendos në çoftë se dëshiron ta shtyj përpara”, shprehet ajo.

Haxhiu thotë se sfidë për këtë dikaster mbeten institucionet që janë nën mbikëqyrje të kësaj ministrie si Instituti i Mjekësisë Ligjore dhe Shërbimi Korrektues. /kp

Publikime te ngjashme