Ministri Sveçla reagon për plagosjen e policëve, e quan sulm ndaj rendit të Republikës

HomeLajmeKosovë

Ministri Sveçla reagon për plagosjen e policëve, e quan sulm ndaj rendit të Republikës

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka reaguar pas plagosjes së dy policëve në Skenderaj, ku dyshohet se u përfshi Nuredin Lushtaku.

Përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, ministri Sveçla këtë sulm ndaj policëve e ka cilësuar si sulm ndaj rendit të Republikës së Kosovës.

“Policët e Republikës së Kosovës në ushtrimin legjitim të detyrave publike duhet të jenë paprekshmërisht të papenguar. Ata janë emri konkret i rendit publik. Nuk mund të kemi edhe Republikë edhe mungesë rendi. Ngjarja e sotme përveçse është e patolerueshme ligjërisht e moralisht përbën po ashtu sulm për rendin e Republikës”, ka shkruar ndër të tjerash Sveçla.

Tutje ai ka bërë të ditur se do t’i vizitojë policët sapo të kthehet nga Brukseli.

Reagimi i plotë i ministrit Sveçla, pa ndërhyrje:

Sot publiku i gjerë në Kosovë ishte dëshmitar i një sulmi të paprovokuar dhe të rëndë ndaj institucionit të Policisë.

Policët e Republikës së Kosovës në ushtrimin legjitim të detyrave publike duhet të jenë paprekshmërisht të papenguar. Ata janë emri konkret i rendit publik. Nuk mund të kemi edhe Republikë edhe mungesë rendi. Ngjarja e sotme përveçse është e patolerueshme ligjërisht e moralisht përbën po ashtu sulm për rendin e Republikës.

I uroj nga zemra shërim të shpejtë dhe të plotë dy policëve të plagosur sot. Do t’i vizitoj nga afër sapo të kthehem nga udhëtimi zyrtar në Bruksel.

Mbes i bindur se nuk ka asgjë që mund t’i zmbraps ata dhe kolegët e tyre nga misioni që ia jep detyra e vullneti.

Unë, por dhe të gjithë qytetarët presim që organet e drejtësisë të marrin masa, sipas ligjeve në fuqi dhe pa ekuivoke për sulmuesit. 

COMMENTS

x