Ministri serb i mbrojtjes thotë se presioni ndaj Serbisë për Kosovën do të rritet

2 minutes, 3 seconds Read

Ministri serb i Mbrojtjes, njëherësh kryetari i Partisë Progresive Serbe (SNS), Millosh Vuçeviq, ka thënë këtë të mërkure se “presioni ndaj Serbisë do të rritet, veçanërisht për Kosovën”, duke shtuar se do të ketë përpjekje “që të mos lejohet Beogradi të bëjë politikën e vet”.

“Do të investohen shumë para dhe fuqi për të destabilizuar Serbinë, nuk do të jenë gjithmonë të dukshme, si presionet për çështjen e Kosovës apo rishikimi i Marrëveshjes së Dejtonit (marrëveshja që i dha fund luftës në Bosnje, më 1995), thjesht duke e kushtëzuar Serbinë që të mos mendojë vetë, por të le t’i thotë dikush tjetër se çfarë të bëjë. Ne si parti duhet të jemi të aftë dhe këmbëngulës t’i njohim ato sinjale”, ka thënë ai në një mbledhje të SNS në rastin e Vidovdanit, transmetojnë mediat serbe.

Ndërkaq, kreu i SNS-së theksoi se partia që ai e udhëheqë i dërgon mbështetje të fuqishme popullit serb në Veri të Kosovës, jo vetëm në Vidovdan, por çdo ditë, shkruan AP.

“Ne po u dërgojmë mbështetje të arrestuarve, se jemi me ta dhe se nuk do të ketë tradhti, se SNS do të mbështesë presidentin në përpjekjet e tij për të mbrojtur serbët në Kosovë, për të mbrojtur të gjithë serbët, potencon ai.

Ndryshe, të mërkurën qytetarët serbë janë mblidhur tek manastiri i Graçanicës për të festuar Ditën e Shën Vidit, të njohur më shumë si Vidovdan. Kremtimi i kësaj dite ndërlidhet me përvjetorin e Betejës së Kosovës, që historia serbe e njeh si fitoren shpirtërore të saj, pavarësisht një humbjeje të madhe të forcave ballkanike dhe vrasjes së princit serb Llazar.

Vidovdani i cili zakonisht festohet në Gazimestan – dhjetë kilometra larg Prishtinës – këtë vit është mbajtur në Graçanicë kjo pas vendimit të peshkopit, Teodosije Shibaliç.

Dioqeza e Rashkë-Prizrenit ka vendosur për ndryshim lokacioni me arsyetimin e “situatës aktuale të sigurisë”.

Përveç një numri të konsiderueshëm të serbëve të cilët kanë filluar grumbullimin që nga ora 7:00 e mëngjesit të pranishëm në manastirin e Graçanicës janë edhe pjesëtarët e KFOR-it, EULEX-it e Policisë së Kosovës.

Publikime te ngjashme