fbpx

Ministri i Shëndetësisë nuk përfill Komisionin, Bajrami: Latifi duhet shkarkuar për mos punë

HomeLajmeKosovë

Ministri i Shëndetësisë nuk përfill Komisionin, Bajrami: Latifi duhet shkarkuar për mos punë

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi nuk po e përfill Komisionin parlamentar për Mbikëqyrjen e Financave Publike për raportim.

Deputetët e opozitës të martën kanë kritikuar ministrin Latifi për mungesën e tij në komision dhe për gjendjen e rëndë në shëndetësi. Derisa raporti i auditorit për Ministrinë e Shëndetësisë do të shqyrtohet vetëm në seancë plenare.

Po ashtu opozita ka vlerësuar se ministri Latifi nuk është duke e kryer punën si duhet.

Madje kryetarja e Komisionit, Hykmete Bajrami tha se në bazë të të gjeturave të shumta që janë evidentuar nga Zyra Kombëtare e Auditimit për SHSKUK-në dhe MSH për vitin 2021, ka gjasë  që deputetët në një seancë të radhës të rekomandojnë për shkarkimin e ministrit Latifi.

“Unë hezitoj me dhënë rekomandim një ministri për ta shkarkuar një bord, kur ministri vet nuk është duke kryer punën si duhet. Pra, ne e kemi një ministër, i cili nuk ka ardhur në Komision me gjithë konfirmimin dhe datat që ia kemi bërë të mundshme. Kështu që kur ta shqyrtojmë raportin e auditimit të Ministrisë së Shëndetësisë ka shumë gjasa që një prej rekomandimeve të plot deputetëve në seancë do të jetë ta shkarkojnë ministrin për mos punën e tij”, theksoi Bajrami.

Ndërsa, për të gjeturat në Shërbimin Spitalor Klinik Univeristar (SHSKUK), deputeti nga PDK-ja, Rashit Qalaj ka kërkuar nga ministri i MSH-së, shkarkimin e bordit të SHSKUK-së.

“Nëse një Bord e ka shkelur ligjin duhet edhe me dhënë përgjegjësi. Nuk është konstatim i yni politik, por i një organi profesional që ka konstatuar gjendjen. Dhe tash ne me i mbyll sytë para një shkelje të ligjit. Besoj që kemi edhe ne përgjegjësi këtu si deputet. Ne mund ti rekomandojmë ministrit për shkarkimin e bordit, por a vepron kështu apo ajo, kjo është çështje e ministrit”, theksoi Qala.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Eman Rrahmani nuk ka kërkuar shkarkim të Bordit të SHSKUK-së, por një vlerësim të punës së anëtarëve të këtij bordi në lidhje me 18 të gjetura.

“Është kompetencë e jona më dhënë rekomandime, por natyrisht që s’mundemi me marrë vendim se nuk na takon. Por rekomandimet tona vijnë në bazë të të gjeturave të Zyrës Kombëtare të Auditimit. Janë 18 të gjetura te SSHKUK-ja, ku përgjegjës e bëjnë bordin që është prej 7 anëtarëve. Mundemi me bërë një rekomandim në ministri për më bërë një vlerësim të punës së anëtarëve të Bordit në lidhje me këto të gjetura”, theksoi ai.

Në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike është shqyrtuar edhe raportit i auditimit të pavarur, për PVF-të e Zyrës Kombëtare të Auditimit, për vitin e përfunduar me 31 dhjetor 2021.

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca gjatë raportimit tha se opinioni i auditimit të jashtëm është i pamodifikuar, por ka evidentuar dy gjetje.

Njëra prej tyre sipas Spancës ka të bëjë me aspektet teknike të procedurave të aktivitetit të prokurimit në sisitemin e e-prokurimit dhe tjetri me zbatimin e rekomandimeve të auditorit të brendshëm.

“Në rastin e aktivitetit të prokurimit për furnizim me pajisje të teknologjisë së informacionit nuk janë de aktivizuar rolet e anëtarëve të Komisionit të hapjes në sistemin e prokurimit dhe rolet e anëtarëve të Komisionit të vlerësimit. Nuk është që është shkelje që i njëjti person të jetë edhe në hapje edhe në vlerësim, por ajo çka është evidentuar nga auditori i jashtëm është në sistemin e e-prokurimit”, theksoi Spanca. Ndërsa, deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa, ka kërkuar më shumë efikasitet nga Zyra Kombëtare e Auditimit, pasi sipas tij ky institucion është në interes të qytetarëve.

x