Connect with us

Kosovë

Ministri i qeverisë Kurti thotë se ushtari i FSK-së kishte tentuar t’i vret dy të rinjët serb!

Publikuar

me

Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, thotë se nuk ka dyshim që ushtari i FSK-së, A.K., kishte tentuar t’i vriste dy të rinjtë serbë në Shtërpcë të premten.

Rashiq në një intervistë për “Nova.rs”, ka thënë se versioni i avokatit mbrojtës se A.K. kishte shtënë në vetëmbrojtje, nuk çon shumë peshë.

Dy serbët e rinj, njëri prej tyre 11-vjeçar, u plagosën të premten, derisa ishin pjesë e një turme që ishte mbledhur për të festuar Krishtlindjen ortodokse.

“Versioni në të cilën thuhet se ai u sulmua dhe u rrethua, kjo është historia e avokatit të tij dhe nuk do t’i jepja shumë peshë. Me sa di unë, nga pikëpamja juridike, nuk ka asnjë dyshim se ai ka shtënë në drejtim të fëmijës dhe djalit. Sido që ka ardhur te plagosja, nëpërmjet një rikosheti apo nga një goditje direkte, nuk është e rëndësishme në këtë pikë. Unë udhëhiqem nga ajo që shkruan në aktakuzë, se është tentim vrasje dhe kështu do të mbetet. Ajo që nuk është mjaft e qartë është gjuajtja e dytë. Edhe para kësaj ka gjuajtur në ajër. Nuk kam asnjë dyshim se i ka qëlluar qëllimisht fëmijët dhe tentoi t’i vriste”, ka thënë Rashiq.

Rashiq ka folur edhe për reagimin e Policisë së Kosovës. Ai thotë se ishte ndier mirë kur u lajmërua se u arrestua i dyshuari.

“Duke marrë parasysh rrethanat, se bëhej fjalë për fëmijë, që gjithçka ndodhi në një festë të madhe, mendoj se reagimi i Policisë duhej të ishte dy herë më i shpejtë dhe më i mirë se zakonisht dhe u gëzova shumë kur ministri më njoftoi se u arrestua autori. U ndjeva shumë mirë. Kemi një traditë të gjatë dhe të keqe të incidenteve me motive etnike dhe fatkeqësisht autorët kanë mbetur të pandëshkuar”, ka thënë Rashiq. “Prandaj, mendoj se ky vit mund të jetë vit sukses i Policisë së Kosovës, sepse në një kohë kaq të shkurtër identifikoi dhe arrestoi autorin”.

Ndaj ushtarit të FSK-së, A.K., është shqiptuar masa e paraburgimit prej një muaji të dielën nga Gjykata Themelore në Ferizaj.

Rashiq beson se i akuzuari do të dënohet në mënyrë adekuate.

“Unë besoj se do të dënohet në mënyrë adekuate, pasi ajo që kam parë deri tash me përpilimin e aktakuzës nga prokurori, dhe po ashtu me zgjatjen e masës së paraburgimit për 30 ditë nga gjyqtari, më thonë se do të merren masa adekuate. Nga presidentja, kryeministri, e përmes gjithë ministrave dhe diplomatëve, askush nuk hezitoi të fliste për këtë rast, duke e cilësuar si krim të tmerrshëm që duhet sanksionuar dhe zbardhur sa më parë”, tha Rashiq.

Reklama