fbpx

Ministri i jashtëm Italian fton Kurtin dhe Vuçiçin në Romë, Italia merr në dorë dialogun: Nuk duhet të ketë më luftë

HomeLajmeKosovë

Ministri i jashtëm Italian fton Kurtin dhe Vuçiçin në Romë, Italia merr në dorë dialogun: Nuk duhet të ketë më luftë

Italia porosit Kosovën dhe Serbinë që të mos përshkallëzojnë deri në luftë në tensionet për targat, teksa mori drejtimin e dialogut. Ministri i Jashtëm, Antonio Tajani, dhe ai i Mbrojtjes, Guido Crosetto vizituan Beogradin dhe Prishtinën, duke ftuar liderët e dyja vendeve për një takim në Romë.

Italia mori rolin e ndërmjetësuesit mes Kosovës dhe Serbisë. Ministri i Jashtëm, Antonio Tajani, bashkë me atë të Mbrojtjes, Guido Crosetto, udhëtuan për në Beograd dhe Prishtinë, në një mision për bindur palët në një ujdi për çështjen e targave.

“Nuk dëshirojmë që të ketë sërish luftë”, ishte porosia e qartë e delegacionit italian për të dyja palët. Gjatë një takimi të zhvilluar me ministren e jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, Tajani foli për mundësinë e një takimi Kurti-Vuçiç në Romë.

“Situata nuk duhet të përkeqësohet. Mos merrni nisma të njëanshme. Duhet të gjendet një zgjidhje. E kam vlerësuar vendimin e Kosovës për të shtyrë vendimin për targat dhe është një sinjal i gatishmërisë. Sot në mëngjes kam dëgjuar edhe fjalë gatishmërie nga ana serbe. Duhet të organizojmë një takim në mes të dyja palëve”, tha Tajani.

Ai njoftoi dhe synimin e këtij misioni që me çdo mënyrë të arrihet marrëveshje dhe të ketë stabilitet në rajon. Gërvalla informoi Tajanin për sjelljet e Serbisë karshi Kosovës.

“Biseduam për përpjekjet e Serbisë për destabilizimin e Kosovës përmes ndërhyrjeve masive në çështjet e brendshme të vendit tonë ,kërcënimeve me dhunë e deri të kërcënimet jo të rralla me luftë”, u shpreh Gërvalla.

Në të njëjtën kohë, ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj, priti homologun italian, Crosetto, me të cilin diskutoi për krizën aktuale dhe mënyrat për tejkalimin e saj. Dyshja italiane ishte më herët edhe në Beograd, ku u takuan me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, kryeministren Ana Brnabiç dhe pjesëtarë të tjerë të qeverisë.