Mesiç në mbrotje të UÇK-së: “Millosheviç kreu krime, UÇK-ja e stopoi, është absurd gjyqi ndaj…”

3 minutes, 50 seconds Read

Pretendimet e Prokurorisë së Specializuar në Hagë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte “ndërmarrje të përbashkët kriminale”, i duken të pa kuptimta ish-presidentit të Kroacisë, Stipe Mesiç, cili në një intervistë ekskluzive për Albanian Post thotë se UÇK-ja ishte formuar si një organizatë për të luftuar dhe për t’u mbrojtur nga regjimin kriminal i Sllobodan Millosheviç-it.

“Krerët e UÇK-së nuk do të duhej që të quheshin kriminelë, pasi ata vetëm kanë mbrojtur popullin e vet. UÇK-ja i është kundërpërgjigjur regjimit të Millosheviç-it dhe ai regjim ka kryer krime në Kosovë. UÇK-ja nuk ka qenë kurrfarë organizate kriminale, ajo vetëm e ka mbrojtur popullin e vetë ndaj krimeve të tmerrshme që regjimi i Millosheviç-it i ka kryer”, tha Mesiç.

Për politikanin që ushtroi funksionin e presidentit në Kroaci për një dekadë (2000-2010), Gjykata Speciale në vend se të gjykonte krerët e UÇK-së “do të duhej që të trajtonte krimet që regjimi serb i ka kryer në Kosovë”.

Mesiç, që i ra të jetë edhe udhëheqësi i fundit i presidencës Jugosllave dhe kryeministër i Kroacisë, e njihte shumë mirë ish-liderin serb Millosheviç.

“Jo veç në veprim, por ai ishte kriminal edhe në ide”, thotë për Millosheviç-in. “Ai donte që të bënte spastrim etnik të shqiptarëve që jetonin në Kosovë”.

Krejt çfarë deshi të bëjë UÇK-ja, vazhdon elaborimin Mesiç, ishte të dal “kundër këtyre veprimeve kriminale të Millosheviç-it”.

Mesiç kujton se Millosheviç, që suprimoi autonominë e Kosovës, “e ngriti nacionalizmin serb”.

Prandaj, shton ai, “pas veprimeve kriminale të tij në Kosovë u krijua UÇK-ja”.

“Në kushtetutën e vitit 1974, Kosova dhe Vojvodina edhe pse si vende autonome kishin të drejtë vote sikur të gjitha vendet e tjera përbërëse të Jugosllavisë. Regjimi i Millosheviç-it nuk pajtohej me këtë formë të qeverisjes, madje as nuk dëshironte që të ekzistonte as Konfederatë e as Federatë Jugosllave, synimi i tij ishte ‘Serbia e Madhe’. Për këtë arsye ai e bëri luftën në Kosovë”.

Mesiç teksa vazhdon të flas për kasapin e Ballkanit – Millosheviç-in, thotë se ish-presidenti serb nuk dëshironte një zgjidhje politike, prandaj filloi një spastrim etnik dhe këto jo vetëm në Kosovë, por edhe në Kroaci e Bosnje e Hercegovinë.

Prandaj, për të është absurde që një ushtri që u formua si reaksion i popullit për çlirim nga tortura, tani vihet në diskutim për motivet dhe qëllimet e saj.

Raportet Kosovë – Serbi, si i sheh Mesiç

Mesiç kur pyetet për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë, nënvizon se duhet të kihet kujdes që mos të “formohet një Republika Srpksa si në Bosnje e Hercegovinë”.

“Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe të këtë një lloj autonomie kulturore dhe të mos ketë kompetenca ekzekutive. Duhet të keni kujdes që komunat në Veri të Kosovës të mos u lihet mundësia e menaxhimit nga ndonjë shtet tjetër, por vetëm autoriteti i institucioneve kosovare të jetë i pranishëm, të mos lihet mundësia e ndonjë interferimit të jashtëm”, thotë ai.

“Është e rëndësishme që në ato komuna në Veri të Kosovës, përveç komunitetit shumicë serb, të bëhet një zgjidhje edhe për komunitetet e tjera që jetojnë aty. Me atë që kam parë unë, në marrëveshjen e arritur në mes të Kosovës dhe Serbisë, nuk parashihet se si do të trajtohen komunitetet tjera që jetojnë në ato komuna të Kosovës”, vëren Mesiç.

Duke folur për marrëveshjen finale mes Kosovës dhe Serbisë, ai ka kërkuar nga spektri politik në Prishtinë që ta mbështesin kryeministrin Albin Kurti.

“Në marrëveshjen përfundimtare me Serbinë që po tenton ta bëjë, Kurti do të ishte mirë që ta kishte mbështetjen edhe të gjitha partive të tjera në Kosovë. Unë Albin Kurtin e njoh mirë. Në hapësirën dhe mundësinë që ai e ka është duke performuar mirë”.

Sipas Mesiç, duhet të gjindet një formulë ku i bën të dyja vendet fituese të procesit dhe nuk obligon asnjërën të bëjë kompromise dëmtuese për shtetësinë e tyre.

“Asnjëra palë nuk do të duhej që të pranonte kompromise që do ta dëmtonte veten. Fituese do të ishte mirë që të ishin të dyja palët”, përfundoi Mesiç.

Publikime te ngjashme