fbpx

Mero Baze me libër për Kosovën: Një përpjekje për të shkruar historinë politike të Kosovës, 1989-1999

HomeLajmeKosovë

Mero Baze me libër për Kosovën: Një përpjekje për të shkruar historinë politike të Kosovës, 1989-1999

Mero Baze vjen në panairin e librit me një libër mbi historinë politike të Kosovës e cila ndryshoi tërësisht fatin e saj nën Serbi. Bëhet fjalë për periudhën 1989, kur Kosovës ju hoq dhe ajo pak autonomi që kishte dhe deri në vitin 1999, kur ajo fitoi lirinë e më pas pavarësinë e saj.

Libri është bazuar në dokumente origjinale të ish qeverisë së Kosovës në mërgim shtypit të kohës arkivave të huaja dhe dokumenteve të deklasifikuara të SHBA. Një pjesë interesante në libër janë dhe vet dëshmitë e gazetarit, autorit të librit, i cili ka qenë i lidhur ngushtë me punën e tij si gazetarë me Kosovën në atë periudhë.

Libri është i ndarë në katër pjesë.

Në pjesën e parë ka një panoramë të historisë së Kosovës deri në shpalljen formale të Republikës së saj dhe zgjedhjet e Majit të vitit 1992.

Më pas në pjesën e dytë ka një përshkrim të hollësishëm të betejës diplomatike të Kosovës në arenën ndërkombëtare, ndihmën e pakursyer të diplomacisë së shtetit shqiptar në atë drejtim si dhe konfliktet me Berishën i cili u përpoq të përdorte lidershipin e Kosovës për interesa të veta politike.

Në pjesën e tretë bëhet fjalë për depresionin pas Daytonit, krijimin e UCK, konfliktet brenda politikës së Kosovës, raportet e vështira me Shqipërinë dhe disa tendenca negative të përçarjeve politike.

Pjesa e fundit i kushtohet betejës finale për Kosovën që nisi në Rambuje dhe përfundoi me bombardimin e Serbisë dhe çlirimin e Kosovës. Në këtë pjesë ka dëshmi personale të autorit i cili ndoqi nga afër Konferencën e Rambujes dhe më pasi si gazetar mbresat nga çlirimi i Kosovës.

Libri ka mbi 600 referenca me burime informacioni dhe një album fotografish nga ngjarjet më të rëndësishme në Kosovë për të cilat autori falënderon veçanërisht fotografin Enver Bylykbashi që i ka dhuruar foto e Kuvendit të Kaçanikut Shtator 1990, ato të 2 Korikut 1990 si dhe pamje nga dita e heqjes së autonomisë së Kosovës më 23 mars 1989.

Libri është i shoqëruar me një parathënie nga publicisti i shquar Preç Zogaj. Ai është botuar nga shtëpia botuese “UET Press” e Universitetit Evropain të Tiranës dhe do të gjendet prej nesër në stendat e panairit të librit.

Më poshtë po botojmë hyrjen e këtij libri nga vet autori.

DHE IA DOLËN!

Mero Baze

Si shumë kolegë gazetarë, unë kisha dështuar në përpjekjet për të shkruar libër rreth historisë së Republikës së Parë të Kosovës, asaj nyjeje të historisë që ndryshoi përjetësisht fatin e saj. I vetmi dëshmitar i madh ishte Bujar Bukoshi. Kërkesa ime për një intervistë të gjatë, mbështetur edhe mbi fakte arkivore, i ngjallte gjithmonë mëdyshje që shndërrohej në indiferencë.

Të gjitha çfarë kishin mbetur ishin shënimet dhe dokumentet që ai kishte konsultuar gjatë dhjetë viteve angazhuar në atë projekt. Rreth dhjetë kuti të mbushura përplot; dokumente, fakse, letra, fjalime, dekrete, rekomandime, këshilla, lista luftëtarësh, rrogëtarësh, mësuesish, mjekësh, kërkesa, kër- cënime, ankesa… ishin mbyllur e po jepnin shpirt në ato bi- msa kartoni, si dëshmitare për eksperimentin më të pabesu- eshëm në botë – ngritjen e një shteti në letër.

Letrat, si gjymtyrët e vetme, mitra e shtetit të sotëm të Kosovës, po zverdheshin, po “treteshin” në kuti kartoni, duke u vërtitur si refugjate nga një apartament në tjetrin, kudo ku zhvendosej në fund të jetës së tij, njeriu që e përfaqësoi. Ishte ky “shtet në letra” që në fakt bindi në fillim shqiptarët, pastaj dhe botën, se mund të bëhej shteti i vërtetë i Kosovës.

Këto kuti kartoni imitojnë fatin e dikurshëm të qytetarëve të Kosovës, fat i pamerituar edhe për to.

Ibrahim Rugova, udhëheqësi i pazakontë i një populli që e adhuronte ngase nuk i ngjante, kishte vdekur ndërkohë, pa lënë asnjë shënim për këtë eksperiment të rrallë në botë. Nje- riu që kishte shkruar për Budin e Bogdanin e katërqind viteve më parë, që i kishte zhvarrosur ata dhe i kishte sjellë të gjallë para historisë, nuk shkroi më shumë se tri fjali për kauzën e vet. Të gjitha përmblidheshin te durimi dhe paqja për ta bërë Kosovën shtet të pavarur me ndërhyrjen e NATO-s, nën mbi- këqyrjen e OKB-së.

Tri ide profetike që në fakt u bënë realitet. Dhe ai, si për ta fshirë si të parëndësishme çdo gjë tjetër, la vetëm këto tri fjali si dëshmi.

Bujar Bukoshi, të cilin e ngarkoi kryeministër të këtij pro- jekti futurist, krejt i ndryshëm, ishte njësh me të, por jo i njëjtë. Plot energji, impulsiv, i kulturuar dhe i suksesshëm si mjek, ai është dëshmitari i fundit që mund të na lërë një shenjë nga çfarë u bë në dekadën e fundit të shekullit XX, kur lindi shteti i dytë shqiptar.

Fillimisht, duke u përpjekur të sistemoj arkivën e tij, kup- tova dy gjëra kryesore.

E para, sesi një ide e madhe mbahet në këmbë dhe nuk mposhtet nga meskinitetet e vogla; rrëmuja, pafuqia, mun- gesa e burimeve njerëzore, përvojës së ndërtimit të një shteti.

E dyta, një ide e madhe vret si me magji çdo shfaqje të shë- mtuar që shoqëron shtetet tona të lira e legjitime. Vret korrupsionin, abuzimin dhe mban të ndezur energji idealizmi që i kupton vetëm pasi ky eksperiment ka përfunduar.

Të shikosh si janë grumbulluar miliona franga apo marka, si janë mbajtur në këmbë struktura paralele arsimi apo shën- detësie, si financoheshin institucionet akademike apo dhe shty- pi, pastaj si financoheshin luftëtarë dhe lobistë, pa asnjë in- stitucion kontrolli mbi ta, kupton se ajo ka qenë një dekadë e magjishme që askush nuk mund ta përsërisë më.

As ata që e bënë një here!

Padija për atë që i priste ka qenë arma e tyre e fortë. Ata nuk i dinin problemet me të cilat do të përballeshin, nuk e di- nin se mund të dëshpëroheshin, a të përlesheshin me njëri- tjetrin, nuk e dinin se mund t’i arrestonin, mund t’i vrisnin, nuk e dinin se në fund mund të ishin edhe shkatërruesit e asaj ën- drre. Ata thjesht e ndërmorën atë akt si rrugë të vetme, të fu- ndit.

Dhe ia dolën!

Dhe kjo është kryearsye përse po zhytem në këto arka kartoni, për të ngjallur së paku diçka nga dëshmitë e asaj de- kade. Pres plot të zemëruar të më qortojnë që nuk i kam thënë të gjitha dhe plot entuziastë që i hyra kësaj pune. Por as do të mërzitem, as do të gëzohem nga askush.

Dua të lë disa dëshmi mbi atë që ka ndodhur.

Pastaj plot të tjerë mund ta plotësojnë e ta zgjerojnë nga këndvështrime të ndryshme.

Do të më duhet të përshkruaj ndryshimet e viteve 1989- 1992, kur Kosova “bëri letrat” e shtetit të saj, jo si biografi të Bujar Bukoshit, por si histori të Kosovës, për ta kuptuar më mirë atë që ndodhi. Më pas do të ndalem te qeveria e tij, te institucionet e Kosovës, te betejat diplomatike të Ibrahim Rugovës, te miti i rezistencës paqësore, energjia e re që solli Ushtria Çlirimtare e Kosovës, gjarpërimi i çështjes së saj në shtigje të panjohura, deri te liria.

E vërteta e madhe është se rruga drejt pavarësisë së Ko- sovës mund të ishte e gjatë dhe e pashpresë, nëse nuk do të lindte UÇK dhe të provokonte ndërhyrjen ndërkombëtare të NATO-s. Por nga ana tjetër, ajo ditë nuk do të vinte kurrë, në- se problemi i Kosovës nuk do të hynte në kancelaritë perën- dimore si problem i një shoqërie të orientuar nga Perëndimi që luftonte për të drejtat e saj themelore me rrugë paqësore. Befasia e shqiptarëve në Perëndim pas vitit 1990, ishte rruga që ndoqi Ibrahim Rugova për ta ruajtur Kosovën nga goditja e parë fatale që mund të merrte bashkë me shembjen e Ju- gosllavisë. Orientimi nga Perëndimi dhe rezistenca paqësore, justifikuan lindjen e UÇK-së dhe ndërhyrjen ushtarake perën- dimore.

UÇK fillimisht ka qenë ide politike e një grupi të cak- tuar, në opozitë me përcaktimin e rezistencës paqësore që ki- shin institucionet e Kosovës në atë kohë. Si ide politike ajo u kishte dhënë autoritet të caktuar mbartësve të saj.

Fillimisht ishte bërthamë politike që nxiste veprime ush- tarake sporadike në Kosovë, duke depërtuar nëpërmjet kufirit me Shqipërinë.

Gjatë ofensivës serbe të pranverës 1998, sidomos pas ma- sakrës së Drenicës, çdokush që rrokte pushkën për të mbije- tuar në Kosovë deklarohej se ishte UÇK. Edhe vetë formacio- net ushtarake të Qeverisë së Kosovës, hynë në Kosovë nën emblemën e UÇK-së.

Ajo s’ishte organizatë e krijuar nga lart, por organizim spontan në terren që u vendos nën kontroll politik nga mbartësit e asaj ideje.

Kundërshtarët e pacifizimit nuk ishin kundërshtarë të paqes. Ata u bënë realizues të saj.

Pak para se të përballej me gjykimin në Hagë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dikur ish-rival i ashpër politik i Ibrahim Rugovës, duke nderuar kujtimin e tij tha:

“Lufta jonë ishte përpjekja jonë për të mos dështuar paqja në Kosovë!”.