Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj përmes një video-mesazhi u është drejtuar të rinjve dhe të rejave të Kosovës që t’i bashkohen Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Përmes këtij video-mesazhi, Mehaj ka bërë të ditur se kanë mbetur edhe një javë deri më datën 15 janar deri në mbylljen e konkursit për rekrutimin e 612 ushtarëve aktiv dhe 388 ushtarë të komponetës rezervë.

“Kanë mbetur vetëm edhe 168 orë kur do të filloj procesi i përzgjedhjes së atyre që do të bartin uniformen e nderit, simbolin e shtetit dhe besimin e popullit. Andaj të rinj e të reja të këtij vendi, pa dallim etnie, ju ftoj të aplikoni për t’iu bashkangjitur Ushtrisë së Republikës së Kosovës që ka një vizion të qartë drejt anëtarësimit në NATO”, ka thënë Mehaj.

Ai ka shtuar se bashkërisht do të angazhohemi në mbrojtjen e sigurinë e shtetit ashtu siç para nesh komandanti legjendar Adem Jashari, pjesëtarët e UÇK-së, dëshmorë e invalidët, veteranët e veprimtarët si Adem Demaçi, i dhanë formë lirisë së vendit, shpresës –guxim, guxim për një shtet të pavarur dhe sovran. /Telegrafi/