Medvedev thotë se një disfatë e mundshme e Rusisë në Ukrainë mund të çojë në luftë bërthamore

1 minute, 33 seconds Read

Zv.kreu i Këshillit të Sigurisë së Rusisë, Dmitry Medvedev, ka paralajmëruar për një luftë bërthamore në rast të disfatës së Rusisë në luftën e saj kundër Ukrainës.

Duke komentuar takimin e ardhshëm të zyrtarëve perëndimorë dhe ukrainasë në bazën ushtarake Rammstein në Gjermani, Medvedev tha se ai pret që ata të diskutojnë dërgesat e reja të armëve të rënda dhe sistemeve të goditjes.

“Dhe kjo menjëherë pas forumit në Davos, ku pjesëmarrësit përsëritën ‘Për të arritur paqen, Rusia duhet të humbasë’”, shkroi ai në Telegram.

Ish-presidenti rus theksoi se askush nuk e mendoi të nxjerrë një “përfundim elementar se disfata e një fuqie bërthamore në një luftë konvencionale mund të provokojë shpërthimin e një lufte bërthamore”.

“Fuqitë bërthamore nuk kanë humbur konflikte të mëdha nga të cilat varet fati i tyre dhe kjo duhet të jetë e qartë për këdo”, tha Medvedev.

Dhjetorin e kaluar, presidenti rus, Vladimir Putin, tha se doktrina ushtarake e Rusisë lejon vetëm përdorimin mbrojtës të armëve bërthamore, në përgjigje të një sulmi të jashtëm.

Më herët, Medvedev, i njohur për deklaratat publike të zhurmshme dhe luftarake, ka pohuar se Moska mund të përdorë armë bërthamore për t’u mbrojtur.

Deklarata e fundit e tij vjen një ditë pasi Putin, gjatë një vizite në një objekt në qytetin Shën Petersburg që prodhon sistemet e mbrojtjes ajrore, tha se vendi i tij do të fitojë në Ukrainë për shkak të përbërjes së tij të fuqishme ushtarako-industriale, duke pretenduar se industria e mbrojtjes prodhon të njëjtin numër raketash sa e gjithë pjesa tjetër e botës bashkërisht.

Publikime te ngjashme