Connect with us

Kosovë

Maxharraj: Rugova bëri histori, por kishte nga ata që nuk e donin, ky ishte atentati më i rrezikshëm i bërë ndaj tij

Publikuar

me

Më 21 janar 2006 ka vdekur presidenti Ibrahim Rugova. Ai në politikën e Kosovës la një boshllëk të madh dhe të dukshëm.

Profesori nga Amerika, Binak Maxharraj ka vlerësuar lart figurën e tij, duke thënë se ishte njeriu i cili bëri historinë bashkëkohore të shqiptarëve, duke ndarë kështu edhe popullin shpirtërisht nga shovinizmi i Millosheviqit.

“Ibrahim Rugova ishte dhe mbeti bir i madh i kombit. Ai bëri historinë bashëkohore të shqiptarëve. U lidh me popullin në kohët më të vështira, kur shqiptarët ishin të shtypur nga regjimet e armiqve tanë, të cilët donin që ta zhbinin nga faqja e dheut, duke i keqtrajtuar, duke i shpërngulur, duke ua zaptuar territorin. E mori guximin prej intelektualit, e ndau popullin shpritërisht nga shovenizmi i Millosheviqit duke e organizuar paralel jetën politike me shqiptarë në të gjitha sferat e jetës.

Tërë jetën e vet e shkriu për pavarësinë e Kosovës. Ai i tregoi botës se ku gjendet Kosova. I tregoi botës se ne Kosovë jeton populli më i lashtë në Ballkan dhe se ai është i shtypur, i keqtrajtuar, dhe bota i doli në ndihmë për ta çliruar Kosovën për te cilën ishte në gjendje edhe jetën ta japë. Ai është biri më i devotshëm i cili doli nga gjiri i popullit, e udhëhoqi atë me mençuri. Populli atë e respektonte, ia jepte votën sa herë që kishte zgjedhje dhe ai në histori mbeti si vlerë kombëtare e pakontestuar.

Dhe mu për këtë arsye ai mbetet njeriu më i çmueshëm i popullit shqiptar, mbetet figura që kurrë nuk shuhet në mendjen e popullit. Mbetet yll polar i pashuar. Me fjalë tjera Presidenti historik Ibrahim Rugova është vlerë kombëtare, të cilit edhe për së vdekuri po i rritet vlera gjithnjë e më shumë, si frymë rugoviane”, thotë ai.

Tutje, shprehet se si udhëheqës i pakontestuar, i zgjedhur nga populli, krijoi aleancë me shtetet ndërkombëtare duke thënë se “shtëpia nuk mbahet pa miq”.

Maxharraj shton se kishte edhe nga ata që nuk e donin, duke dëshiruar që të vinin vet në pushtet, duke patur edhe tentime atentatesh ndaj tij.

“Edhe pas luftës, deri në momentin e fundit të jetës, e udhëhoqi vendin si një lider i pakontestuar. I fitoi të gjitha zgjedhjet e pas luftës sepse populli e donte, e respektonte. Ai i vuri themelet e një qeverisjeje demokratike duke i formuar institucionet demokratike te Kosovës. Ai e qeverisi në mënyrë brilante Kosovën si president i parë historik. Insistonte në sovranitetin e Kosovës dhe në pacenushmërinë e kufijve, sepse theksonte se Kosova është një dhe se nuk ndahet.

Ai kishte miq të shumtë ndërkombëtarë sepse thoshte pa rreshtur se “shtëpia pa miq nuk mbahet”, e gjitha bota e respektonte dhe e nderonte, gjithkund pritej si një burrë i madh si një lider i pakontestueshëm. Por, brenda përmbrenda vendit kishte edhe të tillë te cilët nuk e donin, donin ta zhduknin për të hypur vetë ne pushtet. Pati edhe shumë tentim antentatesh ndaj tij. Donin ta zhduknin sepse ua kishte ”zënë rrugën” për pushtet. Jo rastësisht Rugova pat thënë se Thaçin duhet mbajtur larg pushtetit sepse është shumë i rrezikshëm për shtetin. Dhe kështu ndodhi.

Ibrahim Rugova është sinonim i njeriut të urtë, njeriut vizionar, njeriut që donte vendin e vet, njeriut i cili e ndërton dhe nuk e shkatërron vendin e vet, injeriut i cili nuk e vjedhë dhe plaqkitë vendin e vet, njeriut i cili me plot fuqinë e vet e mbron sovranitetin e shtetit te vet, i del zot vendit të vet në çdo kohë, njeriut i cili ia rrit famën dhe namin shtetit të vet në botë”, shprehet tutje profesori.

Maxharraj vazhdon rrjedhën e shkrimit duke treguar edhe për vrasjet në atë kohë, e që ishin njerëzit bashkëpuntorë të presidentit Rugova.

Ai shton se, përveç bashkëpuntorëve, edhe Rugovës iu bënë atentate, duke cilësuar si më të rrezikshmin atentatin e kurdisur me tritol në veturën e tij, derisa po shkonte në takim me Havier Solanën ne Parlamentin e Kosovës, por falë fatit por edhe veturës së tij të blinduar, Presidenti Rugova shpëtoi si më se mirë.

“Për së gjalli ndaj Presidentit Ibrahim Rugova u bënë shumë antentate, donin ta eliminonin ta hiqnin nga skena politike anipse populli e donte e çmonte si udhëheqësin e tij me të devotshëm. LDK ishte cak i sulmeve edhe gjatë luftës e sidomos pas luftës në liri me ç’rast iu vranë shumë bashkëpunëtorë dhe aktivistë të dalluar. Gjatë luftës u ekzekutua nënkryetari, bashkëpunëtori Fehmi Agani. Rugova i mllefosur pat thënë: “ma paskan këputur krahun e djathtë”, pastaj u vra gazetari Ali Uka, Ilir Konushevci, Behajdin Hallaqi, Sadri Ramçaj, Shaban Shala, por në pabesi në një atentat të organizuar mirë u likuidua edhe ministri i mbrojtjes, koloneli Ahmet Krasniqin e shumë te tjerë.

Por edhe pas luftës në lirinë e pa arritur, presidentin historik Ibrahim Rugova e goditën edhe shumë vrasje të tjera politike, të bashkëpuntorëve dhe veprimtarëve të tij më të ngushtë. Vrasjet nisën me ekzekutimin e Enver Malokut njeriut të ngushtë me Rugovën, pastaj me vrasjen e Haki Imerit, vazhduan me vrasjet e figurave tjera të njohura, që u likuiduan për hakmarrje politike. Ndër ta po veçojmë likuidimin e Ekrem Rexhës, te dera e shtepisë , Shaban Manaj të cilin pas vrasjes e karbonizuan, Rashit Mustafa ”Karadaku”, Ismet Rraci, Smail Hajdaraj, Ukë Bytyqi, kolonel Tahir Zemaj me të birin Enisin dhe Hasan Zemaj, policët Sabahate Tolaj, Isuf Haklaj, e shumë të tjerë.

Të gjitha këto vrasje gjatë luftës dhe pas luftës të figurave më të njohura kombëtare dhe atdhetare, shumica të LDK, sot e kësaj dite edhe pas 23 vjet në liri nuk është zbardhë asnjë sepse nuk kishte prokurori dhe gjykata valide, sespe ato ishin të kapura nga vet porositësit e këtyre vrasjeve. Por, edhe vetë LDK ishte shumë inerte dhe jo e interesuar që të zbardheshin këto vrasje, made ajo nuk bëri asgjë edhe kur ishte në pushtet dy herë duke e udhëheq ministrin e brendshme. LDK vrasjet e figurave më te rëndësishme i përmendte sa për sy e faqe vetëm gjatë fushatave zgjedhore sa për të fituar vota por edhe duke e përdorë, e bile edhe keqpërdor edhe figurën e vetë presidentin Ibrahim Rugova për të fituar vota.

Pas një sëmundjeje të rëndë, presidenti vdiç në vitin 2006. Vdekja e presidentit Ibrahim Rugova mori jehonë të madhe në botë, e gjitha bota ishte e tronditur me ikjen e këtij kolosi të madh të kombit shqiptar. Në përcjellen e tij për në shtepinë e fundit u organizua një përcjellje qe rrallëherë shihet edhe kur vdisnin burrat me të mëdhenj botërorë. Atë ditë e tërë Kosova kishte dhembje të madhe për humbjën e kolosit te saj, presidentit Ibrahim Rugova. Në ditën e varrimit të tij i tërë populli i Kosovës ia kishte mësy Prishtinës, i madh e i vogël, te rinj e te reja, pleq e plaka që donin t’ia jepnin lamtumirën e fundit presidentit të tyre. Edhe pse ishte dimër i madh me borë e acar ku temperaturat kishin rënë deri në minus 20 gradë Celsius, asgjë nuk e pengonte popullin i cili në çastet e fundit done t’i thotë lamtumirën e fundit”, përfundon ai.

Reklama