fbpx

Maqedoninë do e shkatërrojë pafajësia e të fajshmëve!

HomeIde Shqip

Maqedoninë do e shkatërrojë pafajësia e të fajshmëve!

Nga Kim Mehmeti 

Nëse niseni nga Shkupi për në Dibër, ju pret një befasi jashtë çdo logjike: që nga ora dhjetë e paraditës, e deri në orën gjashtëmbëdhjetë pasdite, rruga për në këtë qytet është e mbyllur!

Në ndërkohë, deri sa të arrini te liqeni i Mavrovës, nga ku edhe nuk mund të shkoni më tej, nuk ka asnjë shenjë apo paralajmërim se të pretë udhë e pakalueshme.

Dhe pasi keni kaluar qindra kilometra udhë, i pyetni dy punëtorët që ju ndalojnë se si është e mundur të mbyllet qarkullimi në këto ditë vere dhe në këtë të nxehtë? Ata, duke u ndje keq, thonë se nuk kanë si të të ndihmojnë dhe se nuk janë fajtor.

Pastaj kërkon shpjegim nga Komuna e Dibrës dhe vazhdon të pyesësh se a është normale ta mbyllësh rrugën tani kur kthehen mërgimtarët, por edhe ata të thonë se je drejtuar në adresë të gabuar dhe se fajtorin duhet kërkuar diku tjetër.

Të pafajshëm e shpallin vetveten edhe përfaqësuesit e Ndërmarrjes Publike për Rrugë, edhe ata të policisë, si dhe të gjithë të tjerët që nuk dinë të shpjegojnë pse riparimi i rrugës për në Dibër zgjat më shumë se sa ndërtimi i Murit Kinez?

Me çka del se të fajshëm jemi ne që kemi besuar se jetojmë në shtet ku në mos më shumë, çdokush e dinë se Rruga e Madhe, se udha nga kalon kortezhi me tabut dhe dasmorët me nuse, kurrë nuk mbyllet.
Por sidoqoftë, ti përnjëherë e kupton se jeton në shtet ku askush nuk është fajtorë për asgjë, dhe të cilin shtet mbase edhe do e shkatërrojë pafajësia e të fajshmëve.

Po pra, e kupton se edhe nuk mund të jetë ndryshe në një Maqedoni ku askush nuk e dinë se kush është fajtorë për rastin e ‘Sopotit’, për ‘Monstrën’, për likuidimin e Harun Aliut me shokët, për tragjedinë e Kumanovës, për projektin deshqiptarizues ‘Shkupi 2014’, për botimin e Enciklopedisë maqedonase që i fyen shqiptarët…,por të gjithë e dinë se kryetari i BDI-së është më i merituari për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe për hapjen e negociatave me BE-në. E madje edhe për ardhjen e epokës së internetit dhe telefonave celularë në Maqedoni. (Kim Mehmeti)

COMMENTS

x