LVV-ja, zyrtarisht deklarohet kundër tërheqjes së 30% nga Trusti

2 minutes, 5 seconds Read

Para dy muajve qytetarët kanë protestuar para Qeverisë për tërheqjen e 30% të mjeteve të Trustit.

Sipas tyre, është e nevojshme tërheqja e atyre mjeteve për shkak të krizës që ka kapluar vendin. Në mesin e tyre ishte edhe iniciuesi i kësaj nisme, deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu.

Haxhiu kishte akuzuar kryetarin e Komisionit për Buxhet dhe Financa, Armend Muja, se po e pengon kalimin e Trustit nga Komisioni për votim në Kuvend.

PDK-ja ka kërkuar që Projektligji për tërheqjen e 30% të kalojë sa më parë në Kuvend. Kësaj radhe, ky projektligj do të jetë në formën e iniciativës qytetare dhe jo politike, siç ishte herën e parë.

E në lidhje me këtë çështje, qëndrimi i partisë në pushtet, Vetëvendosja vazhdon të jetë i njëjtë. Partia e Kurtit kundërshton fuqishëm këtë nismë.

Këtë e konfirmon për lajmi.net edhe shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila.

“Është qëndrim që diskutohet në grup, ne kemi deklaruar dhe kemi prezantuar qëndrimin edhe në kuvend, kështu që mbetet i njëjti”, tha Kusari.

E pyetur se a do të ketë lëvizje të qëndrimit, ajo tha se mbetët i njëjti. Kusari theksoi se nuk ka të bëjë me çështje të lëvizjes në qëndrim, por sipas saj, “është e parimit të ruajtjes së mjeteve të Trustit”.

“Është i njëjti qëndrim nuk është çështje lëvizje ajo është çështje e parimit të ruajtjes së Trustit kështu që është i njëjti qëndrim, ai që ka qenë edhe më herët”, tha ajo për lajmi.net.

Deputetët e pozitës konsiderojnë se nuk është e nevojshme tërheqja e parave nga Trusti, për shkak se sipas tyre, nuk duhet të preken kursimet pensionale të qytetarëve. Kurse opozita është pro këtij vendimi për shkak se sipas tyre, ndihmon në tejkalimin e krizës së Kosovë.

Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është deklaruar disa herë kundër kësaj nisme, duke thënë se paratë e Trustit janë për qytetarët kur të dalin në pension, e jo që t’i shfrytëzojnë ato mjete tash.

Ndërkaq, për tërheqjen e 30% të trustit, është hapur edhe një peticion, ku janë mbledhur mbi 30 mijë nënshkrime të qytetarëve që kanë dalë pro tërheqjes së parave.

Publikime te ngjashme