fbpx
HomeLajmeKosovë

LVV iu bën thirrje shqiptarëve në Mal të Zi që të dalin masivisht në zgjedhjet e së dielës

Lëvizja Vetëvendosje u ka bërë thirrje shqiptarëve në Mal të Zi që të marrin pjesë masivisht në zgjedhjet e së dielës.

Lëvizja Vetëvendosje përmes një njoftimi publik ka thënë se këto zgjedhje janë tejet të rëndësishme për Malin e Zi dhe për rajonin, dhe jo vetëm për shqiptarët që jetojnë atje, transmeton.

“Prandaj, Lëvizja VETËVENDOSJE! u bën thirrje shqiptarëve që me votën e tyre të kontribuojnë në rritjen e numrit të përfaqësuesve shqiptarë nëpër institucione shtetërore të Malit të Zi. Natyrisht mbetemi me shpresë se përfaqësimi të jetë sa më i denjë e cilësor, që të mund të konstatojmë progres në legjislaturën e ardhshme”, thuhet në njoftimin e LVV-së.

Tutje, LVV ka shprehur keqardhjen e saj për mosunifikimin e shqiptarëve në një listë zgjedhore.

“Duket që elementet problematike të ndarjes e përçarjes nga viti 2012 kur ne provuam të krijojmë një listë të përbashkët janë po aty edhe sot e kësaj dite. Tani jemi ku jemi, dhe kjo nuk do të thotë që këto zgjedhje nuk mund të prodhojnë një rezultat të favorshëm nëse pjesëmarrja e shqiptarëve është masive.

Dy listat shqiptare nuk forcohen duke e dobësuar njëra-tjetrën, por duke i kthyer votuesit shqiptarë që votojnë partitë joshqiptare.

Megjithëkëtë, kurrsesi s’bën të harrojmë, që çështja themelore është ligji diskriminues i zgjedhjeve në Mal të Zi dhe jo thjesht mungesa e unifikimit të shqiptarëve në një list”, thuhet në njoftim.

Më tej, LVV thotë se “edhe sikur subjektet shqiptare të ishin të bashkuara në një listë të vetme, ligji ekzistues nuk u jep mundësi për më shumë se tre deputetë”.

“Sidoqoftë, dalja masive e shqiptarëve në zgjedhje dhe dhënia e votës kandidatëve të tyre, do të shprehet në rezultat më të mirë për shqiptarët”./Telegrafi

COMMENTS

x