fbpx

Lufta me Covid-19, gati 1 milion euro i dha diaspora- Ministria tregon ku e si do të shpenzohen këto para

HomeEkonomi

Lufta me Covid-19, gati 1 milion euro i dha diaspora- Ministria tregon ku e si do të shpenzohen këto para

Kosova është duke u përballur ende me pandeminë. Që nga shfaqja e rasteve të para me COVID-19 vendi u detyrua të mbyll shumicën e aktiviteteve për shkak të rrezikut nga përhapja e koronavirusit dhe kjo ka ndikuar që të krijohen probleme të shumta. Ballafaqimi i vështirë me virusin ka bërë që ekonomia e vendit të bie. Madje disa matje tregojnë se Kosova ka humbur qindra miliona euro nga buxheti i saj për shkak kësaj sëmundje ngjitëse.

Sikurse vende të shumta e ndryshme të botës edhe Kosova që nga 13 marsi kur edhe u regjistrua rasti i parë me koronavirus, ka marrë një sërë masash për parandalimin e përhapjes së virusit, duke bërë kështu kufizime të aktiviteteve ekonomike e deri tek lëvizja e qytetarëve.

Mbyllja e detyrueshme e shumicës së aktiviteteve ka ndikuar që të krijohen probleme të shumta e nga më të ndryshmet për qytetarët e vendit dhe vetë shtetin.

Duke u përballur me këtë situatë të vështirë dhe mos ditur se çka po e pret vendin nga ky virus që në fillim ishte i panjohur, institucionet e vendit në kohën sa Qeveria udhëhiqej nga Albin Kurti, patën kërkuar ndihmën e diasporës.

Kështu Qeveria, respektivisht Thesari i Kosovës në kuadër të Ministrisë së Financave më 3 prill 2020 kishte hapur llogari bankare në të cilën diaspora e biznese jashtë e brenda vendit mund të jepnin para si ndihmë Kosovës.

Diaspora nuk u kursye e dha para që të luftohet koronavirusi

E përderisa e gjithë bota është duke u përballur me pandeminë Covid-19, kjo nuk e ka penguar diasporën e Kosovës që të dërgoj para në Kosovë.

Në llogarinë e fondeve për menaxhimin e situatës me pandeminë e koronavirusit deri më tani janë tubuar mbi 700 mijë euro, konfirmojnë zyrtarët e Ministrisë së Financave.

Nga Ministria kanë treguar për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus se janë mbi 660 mijë euro të cilat kanë ardhur si donacion nga jashtë vendit, kurse të hyra nga brenda vendit për fondin e pandemisë janë rreth 50 mijë euro.

“Deri me datën e raportimit, janë gjithsej 716,773.93 Euro të mbledhura, prej të cilave 667,115.70 Euro nga jashtë Kosovës (duke përfshirë, por jo vetëm mjetet nga diaspora,) kurse të brendshme janë 49,658.23 Euro”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Financave.

Tutje kjo ministri ka pohuar se këto mjete alokohen vetëm për qëllimet e caktuara për menaxhimin e pandemisë.

Ministria e Financave ndër të tjerë thekson se mjetet e grumbulluara do të shpenzohen në pajtim me legjislacionin nga grantet e donatorëve.

“Mjetet e donatorëve alokohen për shpenzim vetëm për qëllimin e përcaktuar lidhur me menaxhimin e pandemisë “Covid-19”, në pajtim me legjislacionin për financat publike dhe grantet e donatorëve”, thuhet në përgjigje.

Diaspora dërgoi edhe qindra miliona euro tjera në Kosovë gjatë pandemisë

Bazuar në statistikat e Bankës Qendrore të Kosovës, vetëm në 5 muajt e parë të vitit 2020, diaspora e Kosovës ka dërguar në Kosovë 348 milionë euro para.

Ndërsa vetëm gjatë kohës sa në Kosovë pati mbyllje për shkak të pandemisë COVID-19, për muajt mars, prill dhe maj, dërgesat e diasporës në Kosovë kapin shifrën e 227 milionë eurove.

Këto shifra tregojnë se në krahasim me 5 vitet e kaluara, diaspora ka rritur ndjeshëm vlerën e parave që kanë dërguar në Kosovë në 5 muajt e parë të vitit 2020. Kjo pasi në gjithë vitet e kaluara parë e dërguara nuk kanë arritur vlerën e 348 milionë eurove.

Kriza e thellë

Rimëkëmbja ekonomike varësisht nga zgjatja e pandemisë së shkaktuar nga koronavirusi, do të jetë sfidë për ekonominë e Kosovës.

Deri tani ekonomia nuk është ndihmuar sa duhet nga shteti, pasi që bizneset e punëtorët ende nuk kanë marrë të plotë ndihmën as nga pakoja emergjente, kurse ajo për rimëkëmbje nuk është finalizuar ende nga shteti.

Si pasojë e situatës së krijuar nga pandemia e koronavirusit të ri, Banka Botërore parashikon që ekonomia e Kosovës të pësojë rënie prej 4,5 për qind në vitin 2020, e që do të pasohet me rikthim në rritje në vitin 2021.

COMMENTS