fbpx

LDK nuk i shkon Kurtit në takim të premten: Ai duhet të raportojë në Kuvend

HomeLajmeKosovë

LDK nuk i shkon Kurtit në takim të premten: Ai duhet të raportojë në Kuvend

Pas takimit të së mërkurës me emisarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, kryeministri Albin Kurti ka dërguar një ftesë në adresë të partive opozitare të cilave iu ka kërkuar takim për të premten.

Nga Lidhja Demokratike e Kosovës bën me dije se nuk do të shkojnë në takimin e ftuar nga kryeministri. Zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi për Demokracia.com ka thënë se Kurti duhet të raportojë në Kuvendin e Kosovës për këtë çështje.

“Për temën e dialogut, Kryeministri i Kosovës duhet të raportojë vetëm në Kuvendin e Kosovës. Aty LDK do t’i ritheksojë dhe qëndrimet e saja. Ky ka qenë dhe dakordimi i liderëve nga takimi paraprak”, tha ajo.

Halimi tha se për LDK-në “marrëveshja finale me Serbinë duhet të bëhet vetëm rreth njohjes reciproke”.

“Për LDK-në, marrëveshja finale me Serbinë duhet të bëhet vetëm rreth njohjes reciproke. Në këtë marrëveshje të njohjes, rendi kushtetues, integriteti territorial e sovraniteti i vendit janë të panegociueshme”, ka thënë Halimi për Demokraica.com.

Lidhur me këtë takim, AAK ka deklaruar se do ta takojë Kurtin, ndërsa PDK ka thënë se do të presin detaje nga Zyra e Kryeministrit pastaj do të vendosin nëse do të shkojnë.