fbpx

Kush ishte Jack Smith që u largua nga pozita e Kryeprokurorit të Gjyaktës Speciale?

HomeLajmeKosovë

Kush ishte Jack Smith që u largua nga pozita e Kryeprokurorit të Gjyaktës Speciale?

Jack Smith nuk do të jetë më Kryeprokuror i Gjykatës Speciale.

Smith, i cili ishte në detyrë që nga viti 2018 në Gjykatën e Hagës, për të hetuar krimet e luftës në Kosovë, tani do të jetë pjesë e sistemit të drejtësisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të hetuar raste të tjera.

Njoftimi për largimin e tij nga Haga, e ka bërë të ditur Departamenti i Drejtësisë në SHBA.
Kush është Jack Smith?

Jack Smith, është prokurori amerikan. Aktakuza ndaj Salih Mustafës, ish-komandantit të Njësitit BIA të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), është aktakuza e parë e përgatitur nga Smith.

Prokurori amerikan, Smith për 16 vjet ishte pjesë e Departamentit të Drejtësisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA), ndërsa pjesë e Gjykatës Speciale të Kosovës u bë më 7 maj të vitit 2018, shkruan Gazeta Insajderi.

Smith është emëruar në pozitën e Kryeprokurorit pas largimit të David Schëendiman, derisa punën e ka filluar më 11 shtator të 2018-ës.

Smith më parë ishte zëvendëskryetar dhe shef i seksionit të padive në Korporatën Spitalore të SHBA-së, organizata më e madhe joqeveritare e shërbimit shëndetësor në Shtetet e Bashkuara, post të cilin e mbante që prej shtatorit 2017.

Nga shkurti i vitit 2015 deri në gusht 2017 Smith ishte ndihmësprokuror i parë federal dhe ushtrues i detyrës së prokurorit federal për rajonin e mesëm në shtetin Tennessee.

Sipas, Gjykatës Speciale Smith nga viti 2008 deri më 2010 ishte koordinator i hetimeve në Zyrën e Prokurorit në Gjykatën Penale Ndërkombëtare (GJPN). Në atë funksion ai mbikëqyri hetime delikate të zyrtarëve të qeverive dhe pjesëtarëve të forcave milicore të huaja për krime lufte, krime kundër njerëzimit, dhe gjenocid.

Përpara se të merrte detyrën në GJPN, Smith punoi në Zyrën e Prokurorit Federal për Rajonin Lindor të Nju Jorkut, ku gjatë nëntë viteve shërbeu në poste të ndryshme, si kreu i zyrës për paditë penale dhe zëvendësshef i Seksionit Penal.

Si kreu i zyrës për padi penale, Smith kishte në vartësi rreth 100 prokurorë penalë në një sërë fushash, ndër të cilat korrupsioni publik, terrorizmi, krimet e dhunshme dhe bandat, mashtrimet financiare dhe krime të natyrës ekonomike.

Përpara marrjes së detyrës së ndihmësprokurorit federal, Smith punoi për pesë vjet si ndihmësprokuror rajoni në Zyrën e Prokurorit të Kontesë së Nju Jorkut, ku shërbeu në seksionet e veprave penale seksuale dhe të dhunës në familje.

Gjatë vitit 2018, ai kishte vizituar edhe Kosovën. Gjatë vizitës, ndër të tjerë ai ishte takuar me përfaqësuesit e shteteve anëtare të BE-së dhe ish-ministrin e Drejtësisë së Ablaerd Tahiri.

Ndërsa gjatë ditës së djeshme, Smith ngriti aktakuzën e parë, ndaj Salih Mustafës.

Me një aktakuzë me 10 faqe ish-eprori i UÇK-së, akuzohet për krime lufte, për ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.

Sipas dokumentit të publikuar nga Gjykata Speciale, ish-komandant Cali udhëhiqte njësinë BIA, e cila kishte 500-600 ushtarë. Ai akuzohet për ndalime arbitrare, trajtime mizore, tortura dhe vrasje të paligjshme.

Vendi i krimit, sipas aktakuzës, pretendohet që është një kamp ndalimi në fshatin Zllash të Prishtinës. Viktimat, sipas këtij dokumenti, ishin njerëz civilë që nuk kishin lidhje me luftën.

“Krimet që paraqiten në aktakuzë u kryen nga disa anëtarë të UÇK-së kundër personave që u mbajtën në kompleksin e ndalimit në Zllash. Viktimat e këtyre krimeve ishin të gjithë shtetas të RFJ-së dhe persona të cilët nuk merrnin pjesë aktivisht në luftim”, thuhet në aktakuzë.