fbpx

Kusari-Lila i hedh poshtë deklaratat për përçarje brenda koalicionit qeverisës

HomeLajmeKosovë

Kusari-Lila i hedh poshtë deklaratat për përçarje brenda koalicionit qeverisës

Lëvizja Vetëvendosje ka mohuar pretendimet e LDK-së se ka indikacione për rënien e Qeverisë Kurti gjatë vjeshtës së vonë. Partia në pushtet e ka quajtur të pavërtetë edhe deklaratën e Arben Gashit se 8 deputetë të saj janë të interesuar t’i bashkohen LDK-së.

Pretendimet e Gashit i ka mohuar shefja e deputetëve të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila.

Ajo i ka vlerësuar deklaratat si të pavërteta dhe spekulative.

“Fare nuk besoj se qëndrojnë këto pretendime për arsye se nuk ka pasur as indikacione apo shprehje të vullnetit për të kaluar apo pakënaqësi për brenda grupit. Situata është normale në grup, me një frymë komunikimi dhe bashkëpunimi, prandaj për më tutje, për kë ka menduar besoj që Gashi duhet të flas”, ka thënë Mimoza Kusari-Lila.

Shefja e deputetëve të LVV-së, Kusari-Lila ka mohuar të ketë krisje raportesh me edhe me partnerin qeverisës, listën Guxo.

Megjithatë, muajve të fundit ka pasur mospajtime e përplasje publike për disa tema brenda grupit parlamentar të VV-së.

Deputeti Fatmir Humolli, ish-ushtar i UÇK-së ka kundërshtuar vendimin e grupit të tij për të miratuar në parim projektligjin i cili përjashton veteranët nga rritja e pagës minimale.

Nëse veteranët përjashtohen përfundimisht nga kjo rritje, Humolli ka paralajmëruar braktisjen e Vetëvendosjes dhe krijimin e një grupi të ri parlamentar.

“Çështja e veteranëve është në proces. Nuk do të jem pjesë e grupit (v.j. nëse veteranët përjashtohen nga rritja e pagës minimale). Do të jem deputet i pavarur, ashtu siç kam qenë në listën e VV-së si i pavarur dhe nuk i bashkohem asnjë grupi politik. Do të shohim mundësinë për të bërë një grup tonin parlamentar”, ka thënë Humolli në RTV Dukagjini.

COMMENTS

x