fbpx

Kurti tregon 28 vendimet që qeveria morri në mbledhjen e saj të 96-të

HomeLajmeKosovë

Kurti tregon 28 vendimet që qeveria morri në mbledhjen e saj të 96-të

Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhjen e rregullt, në të cilën ka miratuar dymbëdhjetë projektligje, tri nisma për lidhje të marrëveshjeve ndërkombëtare dhe trembëdhjetë vendime tjera.

Vet kryeministri Albin Kurti përmes një postimi ka prezantuar 28 vendimet që sipas tij kontribuojnë në drejtësi, zhvillim dhe siguri publike.

“Mbledhjen e hapëm me aprovimin e projektligjit për Institutin e Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë. Krimet e kryera dhe dëmet e shkaktuara gjatë luftës duhen adresuar. Mbi të vërtetën, do të ndërtojmë mekanizma dhe institucione për ballafaqimin me të kaluarën”, ka shkruar fillimisht Kurti.

“Fusha e drejtësisë është një nga prioritetet tona. Andaj, miratuam projektligjin për Prokurorinë Speciale dhe Prokurorin e Shtetit, si hapa kyç në drejtim të përmbylljes së reformave të sistemit tonë prokurorial”.

“I hapëm udhë themelimit të Agjencisë për Siguri Kibernetike dhe Agjencisë për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar“.

“Miratuam masat për kursim të energjisë elektrike në institucione dhe ndërmarrje publike“.

Kryeministri Albin Kurti gjatë mbledhjes së 96-të e Qeverisë

“Themeluam Komisionin Ekzekutiv për Shëndetësi, për zbatimin e masave urgjente që do të sigurojnë funksionim normal të sistemit shëndetësor dhe do t’i hapin rrugë reformës në shëndetësi“.

“Për pagesën e specializantëve për periudhën shtator-dhjetor 2022, ndamë 2.61 milion euro“.

“18 milionë euro, për ringjalljen e fshatit përmes bujqësisë dhe agro-turizimit“.

“2 milion euro për inicimin e ndërtimit të ndërtesës së Teatrit, Operas dhe Baletit, si dhe realizimin e ndërhyrjeve në katër asete të trashëgimisë kulturore“.

“Me miratimin e projektligjit për programin IPA 2021, dhe më pas të ratifikimit të tij në Kuvend, Kosova do të përfitojë 63.96 milionë euro“.

“I dërguam Kuvendit për ratifikim Marrëveshjen e Bashkëfinancimit për Parkun e Inovacionit dhe Trajnimit – ITP Prizren. Kontributi financiar nga Qeveria jonë është 8 milion euro, ndërsa nga ajo gjermane 5 milion euro“.

“Themeluam Autoritetin Qeveritar për Migrim dhe Komisionin për Ankesa për të Huajt“.

“Me Projektligjin e miratuar për Sigurinë e Përgjithshme të Produkteve synohet sigurimi i një niveli të lartë të mbrojtjes së shëndetit dhe sigurisë së konsumatorëve, si dhe parandalimi i konkurrencës jo të drejtë“.

“Për të lehtësuar qarkullimin rrugor dhe procedurat për njohjen reciproke të patentë shoferëve, miratuam Nismën për lidhjen e Marrëveshjes mes Kosovës dhe Hungarisë për njohjen reciproke të patentë shoferëve“.

“Shfuqizuam vendimin për ndalimin e përkohshëm të eksportit dhe ri eksportit të produkteve themelore agro-ushqimore, bazuar në vlerësimin se ka përmirësim të situatës në tregun e vendor“.

“Miratuam Programin për Parandalimin dhe Zvogëlimin e Barrës Administrative 2022-2027 dhe Planin e Veprimit 2022-2024“.

“Me qëllim të pjesëmarrjes së Kosovës në programet Bashkimit Evropian për bashkëpunim në fushën e tatimit dhe atë te doganave miratuam dy projektligje“.

“Miratuam nismën për lidhjen e marrëveshjes për pjesëmarrjen e Kosovës në “Programin e Evropës Digjitale për periudhën 2021-2027”. Marrëveshja ka për qëllim avancimin e vendit përmes granteve strategjike të BE-së“, ka përfunduar Kurti./Telegrafi

x