fbpx

Kurti thotë se reciprociteti po imponohet nga Serbia, nesër do e mbledh Këshillin e Sigurisë

HomeLajmeKosovë

Kurti thotë se reciprociteti po imponohet nga Serbia, nesër do e mbledh Këshillin e Sigurisë

Kryeministri Albin Kurti, ka thënë se qeveria të cilën e udhëheq ai nuk ka qenë për vendosjen e dokumenteve të përkohshme, por siç tha ai, Serbia ka vepruar kështu me qytetarët e Kosovës.

Duke folur për vendimin që hyn në fuqi nga 1 gushti, ai tha se nëse qytetari kosovar ka nevojë për një dokument shtesë kur hyn në Serbi, është e nevojshme të ketë një të tillë edhe kur hyhet në vendin tonë.

“Sa i përket vendkalimeve kufitare, ju e dini shumë mirë që çdo qytetar i vendit tonë kur dëshiron të kalojë kufirin në Serbi, i duhet të pajiset me një dokument shtesë atje. Ne s’do të kishim preferuar dokumente të tilla, por nëse ka një dokument ku qytetari i vendit tonë e merr në kufi kur shkon në Serbi, duhet të ketë një tillë edhe kur qytetarë i cili është i pajisur me dokumente të lëshuara nga autoritetet e Serbisë, hyn në Kosovë. Siç nuk kemi qenë për ato targat e përkohshme, nuk jemi as për këto lloj dokumente të përkohshme, por përderisa ka një të tillë për qytetarin tonë kur shkon në Serbi, është e nevojshme të ketë një të tillë edhe kur hyhet në Kosovë, dhe kjo do të fillojë nga 1 gushti”, tha Kurti në konferencë për medie.

Kreu i qeverisë poashtu foli edhe për regjistrimin e veturave që posedojnë targa ilegale që të kthehen në targa RKS.

“Do të bëjmë fushatë vetëdijësuese dhe informuese që në muajt gusht dhe shtator të bëhet shndërrimi i targave nga koha e Millosheviqit, KM, PR, GL, PE, UR, DJ, PZ e kështu me radhë në targa RKS në përputhje dhe respektimin e ligjit dhe kushtetutshmërisë në vendin tonë. Uroj që nga e hëna e 1 gushtit sa më shumë qytetarë serbë të vendit tonë ta bëjnë këtë kalim në regjistrin legjitim dhe legal të Republikës së Kosovës”, tha ai.

Më tej, kryeministri i vendit ka bërë me dije se nesër në mëngjes mbahet mbledhja e Këshillit të Sigurisë, lidhur me këto dy çështje.

“Javëve në vijim është e domosdoshme që gjithçka të shkojë mirë me procesin e shndërrimit të targave të automjeteve dhe në çdo vendkalim kufitar të shkojë mirë me dokumente që do të lëshohen për qytetarët që vijnë nga Serbia në Kosovë. Nesër në mëngjes e kemi një mbledhje të Këshillit të Sigurisë ku do t’i diskutojmë me krerët e organeve dhe agjencive të ndryshme shtetërore, ministria, çështjet që mund të na shfaqen e të cilat duhet t’i kemi parasysh. E dimë që ka njerëz jashtë ligjit, ka kriminelë të llojeve e ngjyrave të ndryshme, të cilëve s’iu pëlqen ligjshmëria dhe kushtetueshmëria dhe duan ta sfidojnë shtetin e Kosovës, andaj kjo mbledhje është për t’u diskutuar se a janë marr të gjitha masat që gjithçka të shkojë siç është planifikuar gjithnjë sipas shtetit të së drejtës”, tha Kurti.

COMMENTS

x