Kurti pritet në kullën e familjes Haradinaj në Gllogjan

1 minute, 19 seconds Read

Kryeministri i vendit, Albin Kurti sot ka marrë pjesë në manifestimin qendror në shënim të 25-vjetorit të Epopesë së Dukagjinit dhe 24-vjetorit të ndërhyrjes së NATO-s ndaj caqeve serbe.

Gjatë qëndrimit në Gllogjan, Kurti ka vizituar edhe familjen Haradinaj, e në kullën e tyre është pritur nga kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj dhe familja e tij.

Në takim të pranishëm ishin edhe ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj dhe Komandanti i FSK-së, Bashkim Jashari.

Ndryshe, Kurti nga Gllogjani tha se vetëm bashkë mund të mbrohet, ndërtohet e zhvillohet Kosova.

“Beteja e ashpër e 24 marsit dëshmoi guximin dhe vendosmërinë e familjes Haradinaj dhe popullit tonë në rrugën drejt çlirimit… Nuk gjunjëzohet kulla, nuk mposhtet UÇK-ja e nuk nënshtrohet Kosova, ky ishte mesazhi që mori Serbia nga kulla e bacës Hilmi”, tha kreu i ekzekutivit të vendit, raporton Telegrafi.

Më tej kryeministri i vendit, tha se familja Haradinaj ia dinë mirë vlerën e lirisë e ushtrisë.

Edhe, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka thënë se 24 marsin e njohin si “Ditë të Fitores”.

Kështu tha Haradinaj nga manifestimi qendror i cili u mbajt sot Gllogjan në shënim të 25-vjetorit të Epopesë së Dukagjinit dhe 24-vjetorit të ndërhyrjes së NATO-s.

Tutje ai tha se Serbia ditën e 24 marsit kishte ndjek një strategji të “tokës së djegur”, kjo pasi siç u shpreh Haradinaj, Serbia kishte goditur Qirezin, Likoshanin dhe Prekazin./Telegrafi

Publikime te ngjashme