fbpx

Kurti premton se Qeveria e ti do ta rrisë mbështetjen për konsumatorët!

HomeLajmeKosovë

Kurti premton se Qeveria e ti do ta rrisë mbështetjen për konsumatorët!

Qeveria të cilën e përfaqësoj dhe udhëheq ka për qëllim të ndërmerr veprime të cilat do të adresojnë edhe efektin e menjëhershëm të kësaj krize por edhe atë afatgjatë, tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në konferencën e sotme për media.

Për t’u siguruar se Kosova do të pavarësohet nga aspekti energjetik, kryeministri bëri të ditur se Qeveria po planifikon të shpallë ankandet e para për ndërtimin e kapaciteteve të reja të pastra dhe si aksionarë të vetëm të KEK-ut, revitalizimin e njësive të tanishme dhe diversifikimin e burimeve nga të cilat varet prodhimi i energjisë në këtë ndërmarrje.

Si pasojë e krizës globale energjetike që ka shkaktuar rritjen e çmimeve të energjisë në nivele të papara dhe për shkak të avarive në termocentralet e KEK-ut që e kanë rritur nevojën tonë për të importuar energji, ZRrE përkitazi me kompetencat dhe përgjegjësitë e saj që rrjedhin nga Ligji i Rregullatorit të Energjisë, ka filluar me shqyrtimin e jashtëzakonshëm të tarifave.

Ligjërisht ZRrE-ja dhe bordi i saj janë të pavarur dhe nuk mund të ndikohen nga kushdo në marrjen e vendimeve të tyre, përfshirë edhe qeverinë tone, tha kryeministri.

Në konferencën e përbashkët me Ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, kryeministri Kurti theksoi se Qeveria e Kosovës do ta rrisë mbështetjen për konsumatorët në nevojë të cilët nuk e kanë të mundur të paguajnë. Ata që do të preken më së shumti nga kjo rritje, do të këtë një rrjetë sigurie që do t’ua garantojmë konsumin për nevojat e tyre.

Duke marrë parasysh situatën e jashtëzakonshme dhe të paprecedentë në tregjet evropiane të energjisë elektrike që ka prekur edhe Kosovën, Qeveria e Republikës së Kosovës është zotuar të subvencionojë qytetarët e bizneset e Kosovës, me 75 milionë euro, duke i mbrojtur kështu nga rritja e tarifave.

Fatura që ne po paguajmë është ajo e mosveprimit prej më se dy dekadave në zhvillimin e qëndrueshëm të furnizimit me energji elektrike. Në të njëjtën kohë jemi duke ndjerë vjetërsinë dhe mungesën e investimit në njësitë tona gjeneruese, tha kryeministri Kurti.

Subvencioni i energjisë elektrike nga ana e Qeverisë do të ndikojë që tarifa për konsumatorët biznesor mbetet me 0% rritje, tarifa për konsumatorët shtëpiak deri në konsumin prej 600 kWh mbetet me 0% rritje, ndërsa tarifa e propozuar nga ZRrE për konsumatorët shtëpiak për konsumin mbi 600 kWh të reduktohet, duke pasqyruar çmimin e importit për këta konsumatorë dhe promovuar efiçiencën e energjisë.

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:

Të nderuar qytetarë dhe gazetarë të pranishëm,

Të hënën Zyra e Rregullatorit të Energjisë e ka publikuar raportin konsultativ për shqyrtimin e jashtëzakonshëm të tarifave. Për fat të keq, deri më tani kemi dëgjuar interpretime të ndryshme të cilat nuk duket të kenë pasur për qëllim informimin e duhur të qytetarëve në Kosovë. Rrjedhimisht, edhe e kemi thirrur këtë konferencë për medie sot.

Si pasojë e krizës globale energjetike që ka shkaktuar rritjen e çmimeve të energjisë në nivele të papara dhe për shkak të avarive në termocentralet e KEK-ut që e kanë rritur nevojën tonë për të importuar energji, ZRrE përkitazi me kompetencat dhe përgjegjësitë e saj që rrjedhin nga Ligji i Rregullatorit të Energjisë ka filluar me shqyrtimin e jashtëzakonshëm të tarifave. Ligjërisht ZRrE-ja dhe bordi i saj janë të pavarur dhe nuk mund të ndikohen nga kushdo në marrjen e vendimeve të tyre, përfshirë edhe qeverinë tonë.

Megjithëkëtë, pavarësisht se ZRrE ka për obligim reflektimin e çmimit të vërtetë të energjisë, me vite janë mbajtur kosto fiktive për qëllime elektorale. Për më tepër, janë larguar masa që ndikojnë në konsum më të kujdesshëm të energjisë, siç janë bllok tarifat. Pra heqja e tyre ka qenë gabim shumë i madh, dëmet e të cilit i kemi ndjerë e parë në vitet e shkuara e posaçërisht tani.

Kjo krizë vetëm sa i ka theksuar problemet të cilat ne i kemi trashëguar. Fatura që ne po paguajmë është ajo e mosveprimit prej më se dy dekadave në zhvillimin e qëndrueshëm të furnizimit me energji elektrike. Në të njëjtën kohë jemi duke ndjerë vjetërsinë dhe mungesën e investimit në njësitë tona gjeneruese. Institucionet kanë dështuar në të kaluarën që të japin sinjale te qytetarët se varësia për t’u ngrohur nga energjia elektrike nuk është e qëndrueshme si praktikë. Në vend se të investohej në gjenerimin e në zgjerimin e rrjetit të ngrohjes qendrore, çfarë kanë bërë është se e kanë aprovuar ndërtimin e mijërave banesave, ndërtesave, vendbanimeve që tani varen nga energjia elektrike.

Çmimet e tanishme të tregut të energjisë elektrike tregojnë se kriza do të zgjasë shumë përtej dimrit dhe është dilemë me të cilën ne si qeveri jemi duke u përballuar. Për të kufizuar nivel e dëmeve që këto praktika kanë shkaktuar për qytetarët, Ministria e Ekonomisë, përkatësisht Qeveria e Kosovës, ka shprehur gatishmërinë që të vë në dispozicion një subvencionim për sektorin e energjisë elektrike deri në 75 milionë euro, për t’u siguruar që për konsumatorët familjarë që konsumojnë deri në 600 kWh për muaj dhe të gjithë konsumatorët biznesor të mos ketë rritje të tarifës.

Kriza energjetike është shtrirë te të gjithë pjesëmarrësit e sektorit duke krijuar rrethana në të cilat nuk kemi fitues, por vetëm nivel të ndryshme të dëmeve që si Qeveri e Kosovës duhet të përpiqemi t’i sanojmë.

E kemi thënë edhe në konferencat e mëhershme por vlen të ritheksohet se janë dy faktorë kryesorë që kanë bërë që të kemi këtë krizë. Njëri është i jashtëm. Kosova, sikundër shtetet e tjera, një sasi të kërkesës së saj energjetike e mbulon nga importi. Kjo nuk na bënë më të dobët. Përkundrazi, karakteristikat e çdo vendi, ky hyjnë resurset natyrore, pozicionimi gjeografik, dhe zhvillimi teknologjik shpien drejt një miksi energjetik i cili jo në çdo moment është i mjaftueshëm për të mbuluar konsumin e brendshëm. Rrjedhimisht, çmimi e larta në bursat e energjisë ndërkombëtare ishin jashtë orbitës së ndikimit tim, si kryeministër apo Qeverisë së Kosovës. Me çmime të larta u ballafaquan të gjitha shtetet në Evropë edhe ato në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Por, faktori tjetër, cili vazhdon të jetë determinues është edhe fakti që Kosova tani për 20 vite është lënë në mëshirë të tregtarëve të energjisë. Në vend së të investohet në ndërtimin e kapaciteteve energjetike në përputhje me rritjen e kërkesës dhe me shkallën e zhvillimit ekonomik, politik bërësit e kaluar në pozicionet vendimmarrëse nëpërmjet veprimeve të tyre – dhe shpesh edhe heshtjes, pra mosveprimeve – prioritet i kanë dhënë prodhuesve të tjerë në shtetet e rajonit.

Edhe pse në KEK që nga paslufta janë investuar më shumë se 1 miliard euro, gjendja e kapaciteteve prodhuese është njësoj sikurse ajo kur kemi dalur pas luftës. Në këto investime, po që se të mos ishte vjedhur pamëshirshëm, njësoj sikurse edhe në tenderët e panumërt sot gjendja me prodhim të kapaciteteve të KEK-ut do të ishte krejtësisht ndryshe e nuk do të kishte rënie të vazhdueshme të blloqeve siç po na ngjanë. Andaj edhe këto nuk mund t’i quajmë mbi 1 miliard investime po mbi 1 miliard mjete për KEK-un ku një pjesë e konsiderueshme nuk lejojmë t’i quajmë investime.

Në Kosovë që nga viti 2005 është filluar të flitet për ndërtim të kapaciteteve të reja prodhuese. Sikur të ishte filluar me kohë ndërtimi i kapaciteteve të reja apo edhe rindërtimi i Kosovës A, siç ka qenë një ide e shndërruar në projekt konkret para disa viteve, sot nuk do të kishte nevojë fare për import të energjisë por përkundrazi kriza energjetike do të mund të sillet përfitime për prodhuesit vendor.

Në rastet e rralla në këto vitet e pasluftës, kur investitorë seriozë përkundër imazhit që kemi përçuar, kanë vendosur të vijnë në Kosovë, ata janë ballafaquar më kërkesa joligjore nga personat që, në fakt, do të duhej të lehtësonin procese.

E me çdo ditë që kanë punuar pa një vizion afatgjatë të sigurimit energjetik të Kosovës, hendeku ndërmjet kërkesave të qytetarëve dhe mundësive të sektorit energjetik vetëm sa është thelluar.

Trajtimi i KEK-ut si një ndërmarrje kalimtare e jo si një aset i rëndësisë më të lartë strategjike në vend, e ka lënë burimin kryesor të energjisë në Kosovë në një situatë të mjerueshme, ku përkundër përpjekjeve të stafit gjendja në elektrana vazhdon të jetë e paparashikueshme. Në kohën kur prodhuesit e energjisë kudo janë në pozitë të shesin me çmime të mira, ne duhet të sigurohemi që elektranat tona mos të dështojnë.

Tani që unë dhe ministrja Rizvanolli po ju drejtohemi juve, masat që i kemi në dispozicion nuk mund t’i japin zgjidhje problemeve të shtresëzuara ndër dekada.

Por qeveria të cilën e përfaqësoj dhe udhëheq ka për qëllim të ndërmerr veprime të cilat do të adresojnë edhe efektin e menjëhershëm të kësaj krize por edhe atë afatgjatë.

Në qoftë se çmimi i Energjisë do të ishte rritur në mënyrë lineare për të reflektuar kërkesat e sektorit, ne nuk do të ishim në këtë situatë sikurse sot. Megjithatë, pasi që kjo nuk ka ndodhur, ZRrE-ja si autoritet i pavarur ka vënë para nesh zgjidhjen financiare të krizës.

Zgjidhja financiare që përfaqëson borxhin e akumuluar nga pjesëmarrësit e sektorit për t’i mbajtur dritat ndezur vjen me një çmim shumë të lartë. Çmimi i propozuar nga ZRrE është barrë shumë e rëndë për t’u përballuar nga qytetari në Kosovë. Rrjedhimisht, ne do të vëmë në dispozicion 75 milionë euro subvencion për të mos i prekur fare rritja e çmimeve të energjisë konsumatorët e amvisërisë që konsumojnë deri në 600 kWh, si dhe bizneset e Kosovës. Po ashtu kemi zvogëluar ndikimin nga rritja e çmimeve të konsumatorëve shtëpiakë të cilët konsumojnë mbi 600 kWh, e subvencioni i Qeverisë në dispozicion, që nuk është e thënë që të shpenzohet dhe që varet edhe nga çmimet në të ardhmen të energjisë në bursën ndërkombëtare, do të zbusë dukshëm rritjen tarifore detaje këto që do të jepen nga ministrja Rizvanolli.

Në të njëjtën kohë, për t’u siguruar se Kosova do të pavarësohet nga aspekti energjetik, po planifikojmë të shpallim ankandet e para për ndërtimin e kapaciteteve të reja të pastra dhe si aksionarë të vetëm të KEK-ut, revitalizimin e njësive të tanishme dhe diversifikimin e burimeve nga të cilat varet prodhimi i energjisë në këtë ndërmarrje.

Njëkohësisht, ngritja e tarifave nuk i ka prekur bizneset. Në këtë mënyrë, do të kufizohet ndikimi në rritjen e çmimeve të produkteve dhe shërbimeve që ofrohen në ekonominë tonë.

Qeveria e Kosovës do ta rrisë mbështetjen për konsumatorët në nevojë të cilët nuk e kanë të mundur të paguajnë. Ata që do të preken më së shumti nga kjo rritje, do të këtë një rrjetë sigurie që do t’ua garantojmë konsumin për nevojat e tyre.

Subvencioni që kemi ndarë nuk mbulon të gjithë barrën e krizës sepse kjo do të thotë se linja tjera buxhetore do të zhdukeshin nga plani ynë. Një shkolle e re nuk do të ndërtohej, pensionistët nuk do të kishin ngritje të pensioneve. Por, po aq e rëndësishme, aftësia financiare e qeverisë për t’u siguruar që disa vite prej tash nuk do të kemi probleme të kësaj natyre.

Të nderuar gazetarë,

Rritja e çmimit të energjisë nuk ka ndodhur te pjesa e energjisë së prodhuar në Kosovë. Energjia që konsumatorëve u ofrohet nga prodhimi i KEK-ut ende e ka të njëjtin çmim. Ngritja ka ndodhur në pjesën e importuar. Importi është i lartë dhe kjo e ka rritur koston për të gjithë neve.

Unë tash po ia kaloj fjalën Ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli e më pas do të mund t’ju përgjigjemi pyetjeve tuaja.

COMMENTS

x