fbpx

Kurti përsërit për Reuters: Kosova është e përgatitur për një sulm të mundshëm të armatosur nga Serbia

HomeLajmeKosovë

Kurti përsërit për Reuters: Kosova është e përgatitur për një sulm të mundshëm të armatosur nga Serbia

Kosova është e përgatitur të qëndrojë kundër një sulmi të mundshëm nga Serbia.

Kështu deklaroi, në një intervistë për Reuters, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, teksa foli për masën e reciprocitetit me targat që pritet të nisë më 1 shtator, njofton Klankosova.tv.

“Nuk duhet të përjashtojmë që këto politika agresive të Beogradit mund të kthehen edhe në një sulm kundër Kosovës në një mënyrë apo tjetrën. Ne jemi vigjilentë, por jo të frikësuar”.

“Unë nuk po them se do të na sulmojnë këtë javë ose në vijim, por do të ishte krejtësisht e papërgjegjshme të përjashtohej mundësia e rritjes së tensioneve dhe konflikteve të reja”, tha Kurti.

Kurti, mes tjerash, deklaroi se nuk jemi në vitin 1998 dhe se Kosova është shumë më e përgatitur për të mbrojtur sovranitetin.

“Presidenti despotik (rus) (Vladimir) Putin është një njeri i luftës dhe ai do të kishte interes të përhapte luftën sepse dëshiron të normalizojë luftën”, tha Kurti, duke aluduar për pushtimin e Rusisë në Ukrainën fqinje në shkurt.

“Ne kemi institucionet dhe organet tona të sigurisë dhe mbrojtjes, Kosova tani është shtet, nuk është viti 1998. Ky është viti 2022, kështu që ne jemi shumë më të përgatitur për të mbrojtur sovranitetin tonë, integritetin territorial, për të mbrojtur demokracinë tonë, sundimin e ligjit, kushtetutshmërinë dhe për të mbrojtur progresin tonë”, tha Kurti.

Tensionet midis Kosovës dhe Serbisë u ndezën sërish në fillim të këtij muaji, kur Prishtina tha se do të detyronte serbët që jetojnë në veri, të cilët mbështeten nga Beogradi dhe nuk i njohin institucionet e Kosovës, të fillojnë të përdorin targat e lëshuara në Prishtinë.

Siç shkruan Reuters, situata u qetësua pasi Kurti, nën presionin e SHBA-së dhe Bashkimit Evropian, pranoi të shtynte rregullimin e targave të makinave deri më 1 shtator dhe paqeruajtësit e NATO-s mbikëqyrën heqjen e postblloqeve të vendosura nga serbët.

Serbët përbëjnë 5 për qind të popullsisë 1.8 milionëshe të Kosovës, që është 90 për qind shqiptare.

Rreth 50,000 prej tyre jetojnë në veri të Kosovës, afër kufirit me Serbinë. 40,000 të mbetur jetojnë në jug të lumit Ibër dhe janë duke përdorur targa të lëshuara nga Qeveria e Kosovës.

Serbia mohon ngritjen e tensioneve dhe konfliktit në Kosovë, duke akuzuar Prishtinën për shkeljen e të drejtave të pakicave serbe.

x