Kurti për Vokrrin: Kur ai hynte në 16 metërsh bëhej ose gol ose penallti

HomeLajmeKosovë

Kurti për Vokrrin: Kur ai hynte në 16 metërsh bëhej ose gol ose penallti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në zbulimin e shtatores së legjendës së futbollit, Fadil Vokrri.

Në fjalën e tij, ai tha se për të është thënë shumë qysh kur u nda nga jeta, prandaj ai deshi që të flasë për të nga kujtimet e tij personale.

“Dua të flas siç e njoh dhe e mbaj mend unë. Një karrierë brilante në dy forma. Fillimisht, Fadilin e njogim si futbollist të talentuar e të suksesshëm që përgjatë viteve të 80-ta preku majat e suksesit në sport. Në po atë periudhë Fadili ishte krenaria e gjithë Kosovës. Atëherë kur në Kosovë ishin gjërat shumë të vështira, Fadili u shpall futbollisti më i mirë në Jugosllavi”.

“Kur e merrte topin afër 16 metërshit i gjithë stadiumi ishte në këmbë e kur shënonte të gjithë ishin në ajër. Kjo shtatore këtu është ai momenti kur Fadil Vokrri e merrte topin në 16 metërsh në shikimin drejt lojtarëve që do t’i driblonte dhe kur ai hynte në 16 metërsh bëhej o gol o penalti”.

Ndërsa Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, në fjalën e tij gjatë zbulimit të shtatorës së legjendës së futbollit, Fadil Vokrri, tha se ai nuk ishte vetëm i sportit, por edhe i dimensioneve të tjera të cilat i ka bërë në të mirë të shtetit.

I pari i FFK-së tha se Vokrri ishte mbreti i fushës së gjelbër.

“Këtu sot jemi për ta zbuluar këtë shtatore, me Fadilin tek gjithsecili prej nesh. Fadil Vokrri ishte mbreti i fushës se gjelbër siç e quajnë gjithë, por edhe ishte pronari i tavolinës së tij sepse ka qenë ai i cili ishte si një ombrellë për shokët e tij”, u shpreh Ademi.

Në fund, Ademi tha se arritja e Vokrrit që Kosovën ta anëtarësojë në UEFA e FIFA ishte e bërë me shumë mund.

Gramoz Vokrri, djali i legjendës së futbollit të Kosovës Fadil Vokrri, gjatë zbulimit të shtatores së babait të tij pranë stadiumit në kryeqytet, tha se futbolli i tejkalon shumë gjëra e kjo është vlera të cilën e ka përçuar vet Fadil Vokrri.

COMMENTS