fbpx

Kurti për dialogun: Kosova është e përkushtuar për arritjen e një marrëveshje që në qendër ka njohjen reciproke

HomeLajmeKosovë

Kurti për dialogun: Kosova është e përkushtuar për arritjen e një marrëveshje që në qendër ka njohjen reciproke

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se gjatë takimit me Sekretarin amerikan të Shtetit, Blinken, kanë diskutuar për qeverisjen e mirë, luftimin e krimit dhe korrupsionit.

Kurti theksoi se kanë folur edhe në lidhje me dialogun, dhe se Kosova është e përkushtuar për arritjen e një marrëveshje që në qendër ka njohjen reciproke, njofton kk.

“Së bashku me Presidenten Osmani, të shoqëruar edhe nga ambasadori jonë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Ilir Dugolli takuam sot Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken”, ka thënë Kurti.

“Me Sekretarin Blinken diskutuam për qeverisjen e mirë, luftimin e krimit dhe korrupsionit, zhvillimin ekonomik dhe mbështetjen sociale si përgjigje ndaj nevojave të qytetarëve të Republikës. Theksuam raportet tona bilaterale shtetërore të shkëlqyeshme dhe mundësitë për avancimin e tyre sidomos në rrafshin ekonomik me më shumë investime dhe në atë tregtar me më shumë shkëmbime. Po ashtu diskutuam për demokratizimin e rajonit dhe fuqizimin e aleancave vlerore e politike për t’u ballafaquar me ndikimet dhe rreziqet nga të cilat kanoset Ballkani Perëndimor. Anëtarësimi i Kosovës në Programin e NATO-s për Partneritet për Paqe dhe ngritja e aftësive dhe kapaciteteve mbrojtëse e të sigurisë së Kosovës do t’i kontribuonte paqes së qëndrueshme dhe stabilitetit afatgjatë të mbarë rajonit”, shtoi ai.

“Në takim konfirmuam që Republika e Kosovës është e përkushtuar për arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme që në qendër ka njohjen reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe se deri më tani jemi angazhuar në mënyrë konstruktive dhe kreative në procesin e dialogut.”

“Marrëdhëniet ndërmjet vendeve dhe popujve tanë janë të fuqishme aktualisht dhe të thella historikisht. Qëndrojmë krah për krah njëra tjetrës se jemi miq, partnerë dhe aleatë”.

COMMENTS

x