Kosovë
Kurti për “Bloomberg”: BE-ja të kthehet tek esenca e vet, që është zgjerimi
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka përsëritur deklaratën e tij se fondet e Bashkimit Evropian për të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor duhet të jenë të ndërlidhura me vlerat e BE-së.
Në një intervistë të dhënë për “Bloomberg”, Kurti tha se Bashkimi Evropian duhet të ndërlidhë ndarjen e dhjetëra miliona eurove, të rezervuara për gjashtë vendet e Ballkanit që shpresojnë t’i bashkohen bllokut, me të dhënat e tyre mbi sundimin e ligjit dhe luftimin e korrupsionit.
“Nuk duhet të ketë fonde të BE-së, pa vlera të BE-së. BE-ja nuk duhet të heq dorë nga natyra e saj transformuese, për atë transaksionale”.
Ndonëse Komisioni ka aprovuar 30 miliardë euro për shtetet e Ballkanit Perëndimor, që do shpenzohen përgjatë shtatë viteve të ardhshme, nuk ka caktuar një datë të saktë për zgjerimin, gjë që kërkohej nga shtetet aspiruese si dhe nga disa shtete anëtare.
“Është shumë e rëndësishme që këtyre shteteve t’ju bëhet e qartë se sa shumë kujdesemi për ta”, u tha të mërkurën gazetarëve Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. “Ne jemi partneri i preferuar i tyre”.
Kurti tha se e kupton një masë hezitimi të shteteve anëtare për zgjerimin e mëtejshëm të bllokut për shkak të mosmarrëveshjeve dhe përplasjeve sa i përket vlerave demokratike të anëtarëve që u pranuan më herët gjatë këtij shekulli.
“Mendoj se është mirë që BE-ja të kthehet te esenca e vet – që është zgjerimi” tha ai. “Dhe kurdo që thuhet zgjerim i BE-së, së pari dhe para së gjithash është Ballkani Perëndimor, me të cilin BE-ja arrinë harmoninë e vet si kontinent”./GazetaSinjali
