Kurti: Një javë nga sulmet terroriste të Serbisë, vlerësojmë mbështetjen e aleatëve

1 minute, 4 seconds Read

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se në shtatë ditët e fundit Kosova është përballur me dhunë, kërcënime dhe glorifikim të akteve të tilla, derisa ka shtuar se e vlerëson mbështetjen e aleatëve “në luftën kolektive për demokraci”.

Kryeministri Kurti ka shkruar në Twitter të dielën se ka kaluar një javë nga sulmet terroriste të orekestruara nga Serbia.

“Ka kaluar një javë nga sulmet tragjike terroriste të orkestruara nga Serbia. Gjatë 7 ditëve të fundit kemi qenë dëshmitarë të dhunës, kërcënimeve dhe glorifikimit të akteve të tilla. Gjatë kësaj kohe, ne vlerësojmë thellësisht mbështetjen e aleatëve tanë në luftën tonë kolektive për demokraci”, ka thënë ai.

Ndërsa, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka mbajtur një konferencë për media ku ka publikuar pamjet e momentit të vrasjes së rreshterit Afrim Bunjaku. Vrasja e tij u krye të dielën e kaluar (24 shtator), në fshatin Banjskë të Zveçanit nga grupe serbe të armatosura.

Sulmin serb e kanë dënuar vendet perëndimore duke e konsideruar si terrorist.

Pas vrasjes së rreshterit Bunjaku, NATO-ja ka marrë vendim që të shtojë numrin e trupave ushtarake në Kosovë.

Publikime te ngjashme