fbpx

Kurti e Haxhiu vazhdojnë të “moralizojnë” për drejtësinë, zyrtarët e policisë që dështuan në rastin e 11-vjeçares u avancuan

HomeLajmeKosovë

Kurti e Haxhiu vazhdojnë të “moralizojnë” për drejtësinë, zyrtarët e policisë që dështuan në rastin e 11-vjeçares u avancuan

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministren Albulena Haxhiu, janë deklaruar sërish rreth rastit të 11-vjeçares nga Prishtina.

Rasti i 11-vjeçares nga Prishtina, e cila brenda dy muajsh kishte qenë viktimë e dhunës seksuale nga 12 meshkuj e ka tronditur tërë opinionin.

Por, Qeveria Kurti e ka zgjedhur shfrytëzimin e ndjeshmërisë së këtij rasti edhe për t’i “qëruar hesapet” me zyrtarë dhe institucione të drejtësisë, përkundër që brenda Policisë së Kosovës i kanë avancuar dy prej zyrtarëve policorë që kishin më së shumti përgjegjësi në këtë rast, shkruan Demokracia.com.

Në një konferencë të përbashkët të kryeministrit Kurti me ministren Haxhiu, ata i kanë fajësuar Prokurorinë dhe Gjykatat, duke mos e parë këtë dështim të tyre.

Kurti ka fajësuar Prokurorinë e Gjykatat, ndërsa ministrja Albulena Haxhiu ka vazhduar të këmbëngul edhe në dorëheqjen e Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore të Prishtinës.

Demokracia.com ishte mediumi i parë që menjëherë pas publikimit në media të rastit të 11-vjeçares raportoi se ajo edhe më parë ka qenë viktimë e trafikimit dhe se Policia kishte dështuar ta mbronte vajzën e mitur.

Por, e vërteta është që Qeveria Kurti i ka avancuar pikërisht dy zyrtarët kryesorë që dështuan ta mbrojnë viktimën.

Kurti po lavdërohet me shkarkimin e dy zyrtarëve të Policisë, pa e ditur që në vend të tyre janë emëruar pikërisht personat që kishin më së shumti përgjegjësi në rastin e vajzës 11-vjeçare.

Drejtor Rajonal i Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës tani është emëruar nënkolonel Fehmi Gjata, që në kohën kur ka ndodhur trafikimi i vajzës e ka drejtuar pikërisht Drejtorinë për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore.

Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore ka qenë duke u marrë me rastin e trafikimit dhe keqpërdorimit seksual që i ishte bërë të miturës që nga muaji qershor, porse nuk kishte ndërmarrë asnjë veprim për mbrojtjen e saj.

Ndërsa, Drejtor i Operativës në Prishtinë tani është emëruar major Bekim Bislimi, i cili e ka drejtuar Stacionin e Veriut, ku dy herë radhazi ishte denoncuar rasti i të miturës.

x