fbpx

Kurti: Do të rekrutojmë policë të rinj në veri

HomeLajmeKosovë

Kurti: Do të rekrutojmë policë të rinj në veri

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se largimi i serbëve nga Policia e Kosovës i hapë rrugë mundësisë së rekrutimit të policëve të rinj për ta mbikëqyrur situatën në veri të vendit.

Kurti këtë e ka bërë të ditur në një intervistë për Deutsche Welle përgjatë qëndrimit të tij në Paris, i cili kaloi dy ditë atje për Forumin e Paqes.

“Kemi më shumë policë në veri dhe do të rekrutojmë policë të rinj, në mënyrë që t’i kemi të pranishëm në këto zona”, ka deklaruar ai.

Ndërkaq, sa i përket dorëheqjeve të kryetarëve nëpër komunat serbe, Kurti ka thënë se nuk mbetet mënyrë tjetër përveçse të shkohet në zgjedhje.

“Dhe aty ku kryetarët e bashkive kanë dhënë dorëheqjen, nuk ka asnjë mënyrë tjetër për ne, përveçse të shkojmë në zgjedhje të reja në ato komuna, për të zgjedhur kryetarët e rinj. Unë mund të marr vendime politike në lidhje me marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë, por vetëm në lidhje me funksionimin e brendshëm të shtetit”, ka thënë me tej shefi i ekzekutivit.

“Nuk ka asnjë shtet në Bashkimin Evropian që u jep më shumë të drejta pakicave, nga sa u jep Republika e Kosovës. Është ish-presidenti finlandez Martti Ahtissari që e ka shkruar këtë propozim gjithëpërfshirës. Pra, nëse të drejtat e serbëve në Kosovë nuk janë të mjaftueshme, sipas Beogradit, atëherë i takon Beogradit të thotë pse plani i Ahtisaarit nuk është i mjaftueshëm – edhe pse ky plan është më i përparuar se çdo përcaktim të drejtash në kushtetutat e vendeve të BE -së. Kështu që nuk më takon mua të jap më shumë”, ka deklaruar ndër të tjera ai.

Ai ka shtuar se Beogradi po e refuzon propozimin franko-gjerman dhe situatën në veri e ka quajtur si formë e kamuflimit të këtij refuzimi.

Në po të njëjtën intervistë, Kurti e ka kundërshtuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe, duke e parë atë si projekt mbi baza etnike.

“Ka një mundësi për bashkëpunim ndërkomunal, por jo për asociacion mbi baza etnike. Unë nuk e kundërshtoj Asociacionin e komunave. Aktualisht, Kosova ka një asociacion komunash, 38 në total. Por unë nuk mund ta pranoj asociacionin mbi bazat e identitetit etnik. Politika mbi bazat etnike nuk është e mundshme. Pra s’mund të krijohet një asociacion mbi baza etnike, sepse kjo bie në kundërshtim me Kushtetutën tonë. Ky fakt është gjithashtu i konfirmuar nga një vendim i Gjykatës Kushtetuese tonës në dhjetor 2016”, deklaroi ndër të tjera kreu shtetëror.