fbpx

Ku shkon në shkollë vajza e Kryeministrit Kurti?

HomeLajmeKosovë

Ku shkon në shkollë vajza e Kryeministrit Kurti?

Nxënësit e Kosovës po privohen nga mësimi për shkak se Kryeministri Kurti s’po merret vesh me përfaqësuesit e sindikatave të arsimit. Nuk dihet nëse nga mësimi privohet edhe fëmija i vetëm i Kryeministrit. Zyra e Kurtit nuk tregon se a i vijon ajo mësimet në Kosovë.

Fëmijët kosovarë po hyjnë në javën e dytë prej kur është dashur të nisnin vitin e ri shkollor, po kjo s’po ndodh, për shkak të mosmarrëveshjeve të Qeverisë me sindikatat që kanë nisur grevë.

Nuk dihet nëse në mesin e fëmijëve që po e humbasin mësimin është edhe vajza e Kryeministrit Albin Kurti, e cila është 8 vjeçe.

Gazeta Express ka pyetur para një jave zyrën e Kurtit se ku shkollohet vajza e Kryeministrit dhe, nëse shkollohet në Kosovë, a vijon mësimet në një institucion publik apo privat. ZKM-ja nuk ka kthyer përgjigje.

Është e paqartë nëse edhe vajza e Kryeministrit po e pëson si moshatarët e saj për shkak të mosmarrëveshjeve Qeveri-SBASHK. Nuk dihet nëse ajo shkollohet në Norvegji, ku nëna e saj, pra bashkëshortja e Kryeministrit Kurti, znj. Rita Augestad Knudsen, punon.

Znj. Augestad Knudsen dhe Kryeministri Kurti u bënë prindër të një vajze në vitin 2014.

Kurtit i ka rënë rrallë herë të flasë publikisht rreth vajzës së tij. Në një intervistë të tijën më personale në vitin 2019 pat folur rreth komunikimit me vajzën e tij, pasi brenda shtëpisë u bie të flasin më shumë gjuhë.

“Vajzës i flas shqip. Por ajo e di edhe gjuhën norvegjeze. Në fillim kemi pasur probleme, pasi që me gruan komunikojë në gjuhën angleze dhe kjo ka bërë që hutohet vajza ime. Ajo e di shqip më mirë se sa unë gjuhën norvegjeze”, thoshte Kurti në vitin 2019.

Vajzën e Kryeministrit e kemi parë me prindërit e saj në ditën e zgjedhjeve, pasi po shoqëronte babanë te kutitë e votimit.

Kryeministri Kurti ka publikuar një album fotografish me vajzën dhe gruan, gjatë një shfaqjeje në teatrin “Dodona” në Prishtinë.

“Si prind e di rëndësinë e teatrit, prandaj nuk do e lëmë në harresë. Nuk ka emancipim pa teatër”, kishte shkruar Kryeministri Kurti mbi fotografitë e publikuara në vitin 2020.

Ndryshe, edhe pas dy javës, Qeveria dhe Sindikatat e Arsimit kanë dështuar të arrin marrëveshje, që do të rezultonte me ndalje të grevës.

Pushtetarët akuzojnë SBASHK-un për grevë të “paarsyeshme”, ndërsa sindikatat kërkojnë me ngulm plotësimin e kërkesave të tyre nga Qeveria.

x