fbpx

Kryeministri Kurti vizitoi shkollën “Enver Maloku” në Podujevë, shpërndau libra për nxënësit e klasës së parë

HomeLajmeKosovë

Kryeministri Kurti vizitoi shkollën “Enver Maloku” në Podujevë, shpërndau libra për nxënësit e klasës së parë

Për të uruar vitin e ri shkollor, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, vizitoi shkollën fillore të mesme të ulët “Enver Maloku” në Podujevë. Së bashku me kryetarin e Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, gjatë kësaj vizite, panë nga afër procesin e shpërndarjes së librave për nxënësit e klasës së parë.

Kryeministri Kurti tha se është kënaqësi e veçantë që në këtë ditë e mot kaq të mirë të jemi bashkë me rastin e ndarjes së teksteve shkollore për nxënësit.

“Shpresoj që do të bëjmë shumë punë të mbara edhe në qeverisje qendrore e lokale por edhe në mësimdhënie e në mësimnxënie për të gjithë nxënëset dhe nxënësit”, tha ai.

“Shkolla është vend ku mësohet, ku jepet mësim dhe ku fëmijët edukohen, bëhen më të ditur e më të mençur, andaj edhe shkolla duhet të jetë vendi ku vijnë nxënësit të mësojnë e jo t’i gjejnë dyert e mbyllura e klasat e zbrazëta”, shtoi Kryeministri.

Duke theksuar se e ardhmja e një populli, e një shteti, e një shoqërie varet shumë prej arsimimit të më të vegjëlve, Kurti i falënderoi të gjithë prindërit për vullnetin e përkushtimin e madh që kanë për fëmijët e tyre.

“U garantoj që edhe nga pushteti qendror e lokal, por edhe nga kuadri arsimor këtu, do ta kenë gatishmërinë, interesimin e punën, ashtu që këta fëmijë kur të rriten nesër e të na zëvendësojnë neve, të jenë shumë më të mirë se sa të gjithë ne”, tha ai.

Kryeministri Kurti i falënderoi për mikpritjen e përzemërt të gjithë nxënësit dhe prindërit e pranishëm, Kryetarin e Këshillit të Prindërve, nënkryetarin e Komunës së Podujevës, drejtorin e Drejtoratit Komunal të Arsimi dhe drejtorin e shkollës “Enver Maloku”.

Pas kësaj vizite në shkollë, Kryeministri Kurti dhe kryetari Bulliqi vizituan edhe çerdhen publike “Armela” në Podujevë, ku u pritën nga fëmijët dhe punonjësit e kësaj çerdhe, e cila po zhvillon procesin edukativo-arsimor me më të vegjëlit pa ndonjë pengesë.

x