fbpx

Kreu i Shoqatës së Mullistëve ka një apel pas rritjes së çmimit të bukës: Mos abuzoni me situatën

HomeLajmeKosovë

Kreu i Shoqatës së Mullistëve ka një apel pas rritjes së çmimit të bukës: Mos abuzoni me situatën

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari dhe kryetari i Shoqatës së Mullistëve të Kosovës, Bashkim Zejnullahu kanë mbajtur konferencë të përbashkët për media rreth rritjes së çmimeve të bukës në disa zona të vendit.

Në fjalën e saj, ministrja Hajdari ka paralajmëruar çmim “tavan” për bukën ashtu sikurse është vendosur edhe për derivatet e naftës, shkruan lajmi.net.

Në anën tjetër, kreu i Shoqatës së Mullistëve, Bashkim Zejnullahu ka bërë të ditur se kanë diskutuar me ministren Hajdari për ndryshimet që kanë ndodhur në çmime së fundmi.

Ai ka thënë se gjithashtu janë angazhuar si shoqatë në terren për të vëzhguar situatën nga afër.

“Qëllimi jonë është që të kemi furnizim stabil me grurë dhe miell, andaj edhe i falënderojmë të gjithë fermerët tanë që kanë bërë punë të palodhshme për të ofruar grurë të mjaftueshëm. Ne do të vazhdojmë me furnizimin stabil edhe nga jashtë në mënyrë që të kemi stabilitet në treg”, ka thënë Zejnullahu.

Ai ka thënë se çmimet është pritur që të shënojnë rënie në vitin 2022, por është shënuar vetëm një rënie e lehtë.

Zejnullahu ka përmendur edhe muajt shkurt dhe mars kur ka deklaruar se kanë mbajtur nën kontroll stabilitetin duke siguruar edhe stoqe të mjaftueshme.

Në fund, Zejnullahu ka pasur një falënderim për fermerët dhe shitësit që nuk kanë abuzuar me çmimet.

“I falënderoj të gjithë ata që nuk kanë abuzuar me çmimet, ne jemi kundër abuzimit me çmime. Ju bëjmë apel gjithashtu të gjithë atyre që ngritin çmimet, të mos abuzojnë me situatën aktuale”, ka deklaruar ai.

Kujtojmë se së fundmi është raportuar në media se në disa dyqane dhe furra në disa komuna të vendit, çmimi i bukës ka shkuar deri në 0.60 cent, gjë që ka shkaktuar reagime të shumta.

COMMENTS

x