fbpx

Krasniqi takohet me familjarët e ish-drejtuesve të UÇK-së që janë në paraburgim të Speciales

HomeLajmeKosovë

Krasniqi takohet me familjarët e ish-drejtuesve të UÇK-së që janë në paraburgim të Speciales

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, sot i ka vizituar familjet e ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, të cilët janë në paraburgim në Gjykatën Speciale të Hagës, për dy vjet me radhë.

Krasniqi, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se personalitetet si Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi mund t’i burgosësh, por s’mund t’ua mohosh prezencën.

“Në 54, 55, 71 dhe 51 vitet e tyre të deritashme, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, më së paku u kanë takuar vetes dhe familjes. Rruga e tyre deri te liria, me fatin e një populli mbi supe, ka kaluar nëpër luginën e vdekjes më tepër se gjysmën e jetës së tyre”.

“Megjithëse për familjet e tyre nuk ka qenë asnjëherë e lehtë, e nuk është as sot, e di dhe jam i bindur që nuk do të ndërronin asnjë hap të veprimtarisë së familjarëve të tyre heronj. Sot, të gjithë, më qartë se kurrë, e kuptojmë se ata ishin të zgjedhur. Dhe, si të tillë, kishin një mision, një ëndërr, një lutje e amanet gjeneratash për ta jetësuar: Kosovën!”, ka shkruar Krasniqi.

Sot janë bërë dy vjet që nga arrestimi i ish-krerëve të shtetit, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit, por që ende në Hagë nuk ka filluar procesi gjyqësor ndaj tyre.