fbpx

Krasniqi letër Kurtit: Situata në veri është shqetësuese, PDK e gatshme për komunikim dhe harmonizim të veprimeve institucionale

HomeLajmeKosovë

Krasniqi letër Kurtit: Situata në veri është shqetësuese, PDK e gatshme për komunikim dhe harmonizim të veprimeve institucionale

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, i ka dërguar sot letër Kryeministrit Albin Kurti për situatën në pjesën veriore të Kosovës, duke i shprehur gatishmërinë e PDK-së për të komunikuar dhe harmonizuar veprimet e institucioneve në vazhdimin e ushtrimit të sovranitetit në çdo pjesë të territorit të vendit.

Në letrën e tij, lideri i Opozitës, Memli Krasniqi, ka thënë se situata në pjesën veriore është shqetësuese, me rrezik të përshkallëzimit, ndërsa epilogu nuk është i qartë. Andaj, sipas tij, një koordinim i Qeverisë me Opozitën dhe harmonizimi i veprimeve institucionale me partnerët ndërkombëtarë është i domosdoshëm.

“Kosovës i duhen veprime të përgjegjshme që e ruajnë stabilitetin e shtetit tonë. Me këtë rast, ju shpreh gatishmërinë e Partisë Demokratike të Kosovës për të komunikuar hapur dhe në vazhdimësi rreth situatës së krijuar në pjesën veriore të vendit, si dhe për të ndihmuar institucionet në vazhdimin e ushtrimit të sovranitetit në çdo pjesë të territorit tonë”, shkruan Krasniqi.

Lexoni më poshtë letrën e plotë të Memli Krasniqit dërguar Kryeministrit Albin Kurti:

I nderuar Kryeministër i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti,

Zhvillimet e fundit në komunat e pjesës veriore të Republikës së Kosovës janë shumë shqetësuese. Tërheqja nga detyrat dhe përgjegjësitë institucionale e Kryetarëve të Komunave, asamblistëve komunalë, zyrtarëve policorë, punonjësve të sistemit të drejtësisë e të administratës publike, përbën një akt të paprecedent dhe krijon një situatë mjaft problematike për Republikën e Kosovës.

Këto veprime cenojnë sovranitetin juridik të shtetit tonë, si dhe mbarëvajtjen e rendit publik. Për më shumë, këto zhvillime rrezikojnë t’i kthejnë në pikën zero të gjitha të arriturat e shtetit të Kosovës në shtrirjen e sovranitetit dhe integrimin institucional të komunitetit serb në komunat e pjesës veriore të vendit.

Në këtë situatë, kur shtyllat kryesore të funksionimit normal të komunave të pjesës veriore janë sabotuar dhe nxjerrë jashtë funksionit, konsideroj se një prej detyrave themelore të qeverisë sot është që të mundësojë vazhdimin e funksionimit të institucioneve, si dhe ta vazhdojë zbatimin e sovranitetit në tërë territorin e vendit.

Duke qenë se potenciali i përshkallëzimit të situatës është evident, ndërsa epilogu nuk është i qartë, vlerësoj se koordinimi mes qeverisë dhe opozitës dhe harmonizimi i veprimeve institucionale, përfshirë këtu Kuvendin e Kosovës, është i domosdoshëm. Në këtë drejtim, gjithashtu, ju inkurajoj që t’i kushtoni rëndësinë meritore konsultimeve me partnerët ndërkombëtarë të Republikës së Kosovës.

Kosovës i duhen veprime të përgjegjshme që e ruajnë stabilitetin e shtetit tonë. Me këtë rast, jua shpreh gatishmërinë e Partisë Demokratike të Kosovës për të komunikuar hapur dhe në vazhdimësi rreth situatës së krijuar në pjesën veriore të vendit, si dhe për të ndihmuar institucionet në vazhdimin e ushtrimit të sovranitetit në çdo pjesë të territorit tonë.

Sinqerisht,

Memli Krasniqi, Kryetar