fbpx

Kosova ia ndalon hyrjen edhe ish-ministrit të Jashtëm të Serbisë

HomeLajmeKosovë

Kosova ia ndalon hyrjen edhe ish-ministrit të Jashtëm të Serbisë

Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, ka konfirmuar të shtunën se i është ndaluar hyrja në Kosovë, Vuk Jeremiqit, ish-ministër i Punëve të Jashtme të Serbisë.

Njoftimi i saj:

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës nuk ka miratur sot hyrjen në Kosovë të Vuk Jeremiçit, ish-ministër i Punëve të Jashtme të Serbisë. Mbështetja e Jeremiçit në parlamentin serb për atë që e kanë quajtur „riintegrim“ i Kosovës së pavarur në Serbi është i ngjashëm me planin e Putinit për „riintegrimin“ e Ukrainës – pra një recetë për luftë.

Kosova nuk do të tolerojë urrejtjen dhe agresionin ndaj një shteti evropian dhe demokratik. Evropa dhe SHBA-të duhet të vëzhgojnë me vëmendje veprimet e klasës politike në Serbi dhe në rajon. Radikalizimi i ish-drejtuesit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së është vetëm një paralajmërim më shumë se oreksi i Serbisë dhe Rusisë për territore nuk është ngopur ende.

Rusia dhe Serbia nuk do të ndalen së krijuari gjithnjë e më shumë tensione në Ballkan për aq kohë sa SHBA-të dhe Evropa nuk dërgojnë sinjale të qarta dhe të fuqishme duke kërkuar me këmbëngulje zgjidhjen e vetme të qëndrueshme për krizat dhe paqëndrueshmërinë në Ballkanin Perëndimor, pra duke kërkuar nga Serbia njohjen e realitetit të ri në Ballkan pas luftërave të saj shkatërruese.

Kosova është dhe do të mbetet e pavarur dhe sovrane, përkrahëse e fortë e perspektivës evropiane dhe NATO-s dhe në kufi me Serbinë. Kosova dhe fqinjët e tjerë të Serbisë, të cilët ende nuk janë anëtarësuar në BE, as nuk janë sferë e ndikimit të Serbisë, dhe as nuk do të „riintegrohen“ ndonjëherë në „Botën Serbe“ të Vuçiçit dhe Putinit.