fbpx

Konvertimi i targave në RKS – digjet edhe një veturë në Zveçan

HomeLajmeKosovë

Konvertimi i targave në RKS – digjet edhe një veturë në Zveçan

Policia e Kosovës njoftoi të martën se është djegur edhe një veturë në Zveçan, për shkak të konvertimit të targave nga ilegale në RKS.

Sipas njoftimit, vetura ishte pronë e një femre nga komuniteti serb.

“Policia e Kosovës, me datën 08.11.2022, ka pranuar një informacion për djegien, vënien e zjarrit ndaj një veture me targa RKS, pronë e viktimës femër kosovare e komunitetit serb, me banim në komunën e Zveqanit”, thuhet në komunikatën për media.

Lidhur me rastin nuk raportohet për ndonjë person të lënduar, përveç dëmeve materiale të shkaktuara nga vënia e zjarrit në automjet, përderisa Policia e Kosovës tha se lidhur me rastin ka ndërmarr veprimet e nevojshme operativo hetimore.

“Policia e Kosovës do të kujdeset në ofrimin e sigurisë ndaj qytetarëve pa dallime, në ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike si dhe zbulimin e akteve të tilla kriminale”, thuhet tutje në njoftim.

Ndryshe, që nga 1 shtatori, në veri të vendit janë regjistruar edhe katër raste tjera të djegies së veturave apo pronës së qytetarëve, të cilët i kanë konvertuar targat nga ato ilegale që lëshohen nga Serbia, në legale të Republikës së Kosovës – RKS.

Kështu është bërë e ditur nga Ministria e Punëve të Brendshme, të cilët kanë thënë se Serbia dhe strukturat “ilegale” në veri, po tentojnë të frikësojnë qytetarët, të cilët po e zbatojnë ligjin dhe po i konvertojnë targat. /Telegrafi