Connect with us

Kosovë

Komuna e Prizrenit shpenzoi para për ndërtimin e skenës së koncertit edhe pse tubimet e tilla janë të ndaluara

Published

on

Policia e Kosovës mbrëmë, në natën e Vitit të Ri nuk lejoi mbajtjen e koncertit festiv në Prizren, që ishte paralajmëruar të mbahej nga ora 18:30- 21:30. Ndonëse komuna kishte marrë përgjigje negative për organizimin e këtij koncerti, ndërtimi i skenës vazhdoi, derisa Policia ndërhyri.

Gazeta Sinjali ka mësuar se komuna fillimisht kishte kërkuar leje nga Policia për këtë koncert festiv. Kërkesa ishte përcjellur në IKSHPK, por që nuk u aprovua. Instituti Kombëtar i Shendetësisë kishte refuzuar këtë kërkesë dhe përgjigja e tyre ishte përcjellur te komuna.

Por, përkundër kësaj, komuna kishte vazhduar ndërtimin e skenës. Megjithatë, Policia ka ndërhyrë gjatë ditës së djeshme dhe e ka ndaluar vazhdimin.

Gazeta Sinjali ka kontaktuar kryetarin e Prizrenit, Shaqir Totajn për ta pyetur se pse nuk është respektuar vendimi që një koncert i tillë të mos mbahet, por ende s’ka marrë përgjigje.

Në bazë të masave në fuqi, pavarësisht numrit të personave, ndalohet veprimtaria e koncerteve në gjithë territorin e Kosovës.

/GazetaSinjali

Advertisement
Comments