“Kokëfortësia e Kurtit”| Moszbatimi i vendimit për manastirin e Deçanit e solli nenin 7 në Planin e BE-së

5 minutes, 19 seconds Read

Pjesa më problematike e Planit të BE-së po konsiderohet neni 7, ku flitet për të drejta shtesë për serbet e Kosovës. Përveç tjerash, ky nen po konsiderohet problematik sepse parasheh një status më të avancuar për Kishën Ortodokse Serbe në Kosovë. Por, pse kjo çështje u bë pjesë e panit të BE-së?

Disa përfaqësues të opozitës dhe njohës të rrethanave politike në vend po pretendojnë se ky nen është bërë pjesë e marrëveshje për shkak të kryeneçësisë se institucioneve të Kosovës për të mos e zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit. Për zbatimin e këtij vendimin institucionet e Kosovës me vite kanë refuzuar çdo kërkesë të ndërkombëtareve.

Kështu mendon edhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.

Ai është shprehur i bindur se nëse Qeveria Kurti do ta zbatonte vendimin, kërkesa për formalizim e statusit të Kishës Ortodokse Serbe nuk do të ekzistonte në marrëveshje.

“Unë jam i bindur pse kjo është këtu. Kjo është këtu për shkak të kokëfortësisë, para se gjithash të kryeministrit Kurti, për të mos e zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për manastirin e Deçanit”, ka thënë Krasniqi në emisionin “Debat Plus”.

Ai ka bëre me dije se partia e tij ka kërkuar që vendimi i Kushtetueses për këtë çështje të zbatohet.

“Ne kemi thënë se ai vendim duhet me u zbatu. Jemi kanë pjesë e qeverisë në Qeverinë Haradinaj kur ai nuk e ka zbatuar, përkundër qëndrimit tonë. Sot me vjen mirë që edhe z. Haradinaj e ka pranuar që është dashur me u zbatu. Prej opozitës i kemi thanë Albin Kuritit se duhet me e zbatu, sepse Gjykata Kushtetuese nuk është tavolinë suedeze, ku ti thua se këtë po e marrë e këtë s`po e marrë. Nuk mundesh me thanë se për këtë s`po e zbatoj e për Asociacion po e zbatojë”, ka thënë Krasniqi.

Ai ka bërë me dije se për shkak të moszbatimit të këtij vendimi do të këtë një avancim të statusit të Kishës Ortodokse Serbe.

“Këtu është rreziku u fshehjes se autonomisë politike dhe eksterritorialitetit religjioz. A është versioni i Malit Athos, një version i adaptuar për Kosovën, apo Urdhrit Sovran të Maltës. Ju e dini, ata nuk ekzistojnë si shtet realisht, por formalisht ekzistojnë dhe pasaporta e tyre është prej pasaportave më të fuqishme në botë”, është shprehur Krasniqi.

Ndërsa, gazetari Vehbi Kajtazi ka bërë me dije se futjen e këtij nenin mund të këtë pasur ndikim edhe trazirat e marsit të vitit 2004, ku ishin djegur disa kisha serbe në Kosovë. “Vitit 2004 ka qenë çmenduri, pasojat e se cilës po i vuajmë edhe sot dhe kemi me i vujtë edhe me gjatë”, ka thënë Kajtazi në emisionin “Rubikon”, përcjell Nacionale.

Sipas tij, Kosova çdo herë me presion ndërkombëtar i ka pranua të drejtat e komunitetit serb.

“Ligjet që janë bërë për serbët, si Ligji për Prizrenin, Ligji për Hoqen, është dashtë presion i vazhdueshëm ndërkombëtar me i leju këto ligje. Pastaj është decentralizimi. Gjithmonë ka pasur protesta, gjithmonë ka pasur refuzim të shumicës shqiptare në raport me krijimin e disa kushteve më të mira për serbet në Kosovë”, ka thënë Kajtizi.

Qeveria refuzoi çdo kërkesë për zbatim të vendimit për manastirit e Deçanit
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian në vazhdimësi i kanë bërë thirrje Qeverisë Kurti që ta respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit.

Departamenti Amerikan i Shtetit në raportin vjetor mbi gjendjen në sektorë të ndryshëm në Kosovë, kishte përfshirë edhe moszbatimin e vendimit për pronat e Manastirit.

Aty kërkohej qartë se autoritetet kanë dështuar që t’i zbatojnë urdhrat e gjykatës, duke përfshirë edhe ato të Kushtetueses.

“Autoritetet ndonjëherë kanë dështuar të zbatojnë rrdhrat e gjykatës, duke përfshirë edhe ato të Gjykatës Kushtetuese. Disa përfaqësues të serbëve të Kosovës kanë pretenduar se institucionet qeveritare kanë dështuar të zbatojnë vendimet gjyqësore në favor të serbëve të Kosovës, veçanërisht sa i përket mosmarrëveshjeve pronësore” – theksohej në këtë raport.

Në maj të vitit të kaluar edhe shtetet e QUINT-it përmes një reagimi sërish kërkuan nga Qeveria e Kosovës që ta zbatojë atë.

“Zbatimi i ligjit dhe respektimi i pavarësisë së gjyqësorit janë obligime të të gjitha qeverive të zgjedhura në mënyrë demokratike. Po ashtu, ato janë parakushte për konsolidimin demokratik të Kosovës dhe integrimin e saj në institucionet evropiane dhe euroatlantike” – thuhej në reagimin e QUINT-it.

Ndërsa, në janar të këtij viti, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kishte pranuar edhe një letër nga numri tre i administratës amerikane, Antony Blinken. Ky i fundit, në mënyrë indirekte i kërkoi shefit të ekzekutivit që ta zbatojë vendimin për manastirin e Deçanit.

Institucionet e Kosovës kishin refuzuar një kërkesë të tillë.

Kryeministri Albin Kurti kishte thënë se Kushtetuesja nuk është dashur të merret me këtë çështje.

“Çështja e pronësisë së tokave përreth Manastirit nuk ishte vendosur nga ndonjë gjykatë përkatëse dhe Gjykata Kushtetuese, besoj që nuk është dashur të marrë vendim mbi një çështje pa u konsumuar të gjitha shkallët e tjera juridike. Manastirit i Deçanit siç e dimë të gjithë është pjesë e një mozaiku të pasur kulturor të Kosovës. Fatkeqësisht, Kisha Ortodokse Serbe është ajo që është keqpërdorur vazhdimisht nga Serbia si instrument politik kundër Kosovës dhe shqiptarëve” – kishte thënë Kurti.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese i njeh të drejtën Manastiri të Deçanit në pronësi të një sipërfaqeje prej rreth 24 hektarësh.

Kjo sipërfaqe, e cila ndodhet rreth manastiri ka qenë e regjistruar si pronë e dy ndërmarrjeve “Iliria” dhe “Apiko”.

Publikime te ngjashme