Koha kur “Kobra” dekorohej me mirënjohje nga kjo komunë shqiptare

3 minutes, 45 seconds Read

Thotë se i ka 196 vepra penale, edhe pse policia aludon në shumë më pak, “KingKobra” – i përfshirë në një vrasje në Prizren, të hënën mbrëma – ishte nderuar me mirënjohje nga ish-kryetari i kuvendit të Bujanocit, Adnan Salihu.

Kjo kishte ndodhur katër vite më parë, në një event në Tiranë, i cili kishte për qëllim nderimin e figurave të ndryshme me mirënjohje, e ndër ta ishte edhe “Kobra”.

Ai pranoi mirënjohjen nga kryetari i atëhershëm i Bujanocit, Salihu.

Por për çfarë arsye?

Epo, sipas moderatorit të dënuar për detyrim në prostitucion, Kreshnik Husaj aka “Kika”, mirënjohja ishte dhënë për shkak të veprave bamirëse të “Kobrës”.

“Kika” shpjegonte veprën bamirëse duke thënë se kishte therrur 150 kurbanë, për t’i dalë në ndihmë personave në nevojë.

“Në fund nuk e lënë si të pa rëndësishëm, e kam lënë si kontribues të veçantë, e kam lënë si njeri të veçantë. Ai arriti t’i prej 150 kurbanë për festën e Kurban Bajramit. Ai arriti t’i ushqejë 72 familje muaj për muaj. Ai arriti të ushqejë fëmijë që çdo herë fëmijët që i trokisnin në derë. Arriti t’iu sigurojë kulm mbi kokë që i trokitën në derë. Si emër që shumë nuk e donin, thoshin i rrezikshëm thoshin, jo i mirë, por si shpirt i pa zëvendësueshëm i njeriut. Këtë çmim unë e pashë dhe jam shumë i nderuar që kam kryetarin e kuvendit të Bujanocit për njeriun shumë të veçantë e që është Dibran Hoxhaj”, ishte shprehur “Kika”.

Vrasja në Prizren

Dibran Hoxhaj i njohur me nofkën “Kobra” dyshohet se ka shtënë në drejtim të dy të rinjve nga Kukësi, njëri prej të cilëve humbi jetën, e tjetri ka mbetur i plagosur. Rasti ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm.

Siç u raportua në media i vrarë mbeti 31-vjeçari nga Shqipëria, Visart Cengu, kurse i plagosur mbeti një 27 vjeçar A.B.

Sipas raportimeve nga mediat motiv i këtij konfliktit dyshohet të ketë qenë fatura prej 400 eurosh që lokali kishte lëshuar për dy viktimat. Sipas informacioneve të para, sherri nisi pasi të rinjtë nga Kukësi nuk u pajtuan për ta paguar këtë shumë të të hollave.

Dy viktimat fillimisht patën një debat me stafin e lokalit dhe klientët e tjerë dhe aty nisën të gjuajnë me shishe e të thyejnë tavolinat, duke tensionuar situatën në masë të madhe.

Nga aty, ata janë larguar nga lokali, por nuk arritën të iknin që të dy gjallë. Siç mëson Sinjali, pronari i lokalit Dibran Hoxhaj i njohur si Kobra dyshohet se ka gjuajtur me armë pas sherrit që ka ndodhur brenda.

Përveç Hoxhajt, Policia ka nisur intervistimin e disa personave të tjerë nën dyshimin se mund të jenë të përfshirë në rast.

Për rastin kanë nisur hetimet edhe nga Policia e Shtetit, të cilët dolën me një njoftim në lidhje me vrasjen.

Në lidhjen me ngjarjen, menjëherë nga DVP Kukës është ngritur grupi hetimor i cili po kryen veprimet procedurale për llogari të Policisë së Kosovës.

Nga deklarimet e para të shtetasit të plagosur dhe shtetasit A. B., që i ka transportuar për në spital, dyshohet se ngjarja ka ndodhur në dalje të Prizrenit, ku pas një konflikti në një lokal nate me disa shtetas kosovar.

Në momentin që shtetasit V.C., R.Sh dhe A.B, po largoheshin me automjet, dyshohet se shtetasi D. H, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit të tyre.

Në lidhje me ngjarjen është komunikuar me Policinë kosovare dhe vijon shkëmbimi i informacionit.

Grupi hetimor vijon veprimet procedurale për llogari të Policisë së Kosovës, për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.”, njofton Policia e Shtetit.

Ndërsa zëdhënësi i policisë rajonale të Prizrenit, Shaqir Bytyqi, tha se Policia është duke u marrë me rastin.

“Kemi pranuar informatën rreth orës 04:10 për gjuajtje me armë zjarri në “Kobra City” në dalje të Prizrenit. Një person ka vdekur dhe një është plagosur. Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe është duke u marrë me rastin”.

Publikime te ngjashme