fbpx

Ministri turk i Drejtësisë jep detaje për incidentin në Stamboll: “Gruaja qëndroi në stol për 40 minuta, pastaj ndodhi shpërthimi”

HomeLajmeBota

Ministri turk i Drejtësisë jep detaje për incidentin në Stamboll: “Gruaja qëndroi në stol për 40 minuta, pastaj ndodhi shpërthimi”

Ministri turk i Drejtësisë, Bekir Bozdag, tha se e dyshuara për sulmin e së dielës në Stamboll ishte ulur në stol për 40 minuta, kur pas kësaj ndodhi shpërthimi.

Shpërthimi ndodhi të dielën pasdite në rrugën Istiklal afër sheshit Taksim të Stambollit, transmeton Telegrafi.

Bozdag deklaroi se nuk dihet identiteti i gruas së dyshuar për sulmin, por se të dhënat për atë janë duke u ekzaminuar.

“Të gjitha të dhënat janë duke u hetuar për të gjetur autorët dhe të gjitha agjencitë janë në kërkim të tyre”, u shpreh ai.

“Konsiderohet si një akt terrorist. Se për cilën organizatë terroriste bëhet fjalë, do të përcaktohet nga hulumtimi”, ka deklaruar zyrtari turk.

Sipas tij ekzistojnë dy mundësi për sulmin, “ose çanta ka një mekanizëm dhe ka shpërthyer vetë, ose dikush e ka shpërthyer nga larg”.

“Të gjitha këto janë duke u hetuar”.

Në anën tjetër, Al Jazeera raportoi se në këtë shpërthim dyshohet se janë të përfshirë tre persona, përfshirë edhe gruaja që dyshohet se vendosi eksplozivët. Dy persona të tjerë, besohet se janë dy burra të lindur në vitin 2000.

E dyshuara besohet se është një anëtare e Partisë – së jashtëligjshme – të Punëtorëve të Kurdistanit (PKK).

Pamjet në rrjetet sociale që tregojnë momentin e shpërthimit japin indikacione të çantës së vendosur në stol.

Ndryshe, në shpërthimin e së dielës humbën jetën gjashtë persona, derisa 81 të tjerë pësuan lëndime. Prej 81 të lënduarve, 39 janë liruar nga spitali. Nga 42 të mbeturit, pesë gjenden në kujdes intensiv. Dy prej pesë personave në kujdes intensiv janë në gjendje kritike.