Kim Mehmeti thotë se Edi Rama e dëshiron më shumë dështimin e Kurtit se të Vuçiqit!

2 minutes, 9 seconds Read

Publicisti i njohur, Kim Mehmeti, thotë se Tirana zyrtare dëshiron më shumë dështimin e Albin Kurtit se të Aleksandër Vuçiçit.

Vitet që vijnë e shkojnë, varet me cilët kohë i krahasojmë. Andaj nëse vitin që lëmë pas e krahasojmë me dekadat socialiste, atëherë shqiptarët e kudo ndodhur, sot janë më mirë se dikur, por më keq seç duhej të ishin.

Dhe viti i shkuar ata i shpërfaqi ashtu siç janë: me të shkuar të copëzuar, të sotme pa ndonjë projekt të përbashkët mbarëshqiptar dhe pa të ardhme të qartë.

Shikuar nga ky këndvështrim, Shqipëria nuk u bë për shqiptarinë shembull se si ndërtohet e mbrohet shteti, por e kundërta: shembull se si kriminalizohet e privatizohet shteti, se si natën, si të ishin hajdutë të lagjes, pushtetarët shkojnë dhe e rrënojnë Teatrin Kombëtar.

Pastaj ajo nuk u bë mbrojtëse e vlerave shqiptare, por rrënuese e tyre. Siç nuk u bë mbrojtëse e interesave mbarëshqiptare, por e projekteve serbo-ruse, si ai i ‘Ballkanit të Hapur’, që ia lehtëson Serbisë bllokimin e kufijve të Kosovës dhe që ia mundëson ta mbulojë të shkuarën e të sotmen e saj antishqiptare.

Shkurt e shqip: shqiptarët që jetojnë jashtë Kosovës e Shqipërisë, e kryesisht ata të Çamërisë, të Luginës së Preshevës dhe të Malit të Zi, ndjehen thuajse si popull pa mëmëdhe, si të marr peng nga shteti ku jetojnë. Madje ata ndjehen edhe të turpëruar nga Tirana zyrtare ku politika ka rënë në rrafshin e grindjeve që mund t’i dëgjosh vetëm në ‘pazarin e grave’ dhe nëpër ‘shtëpitë publike’,” tha Mehmeti.

“Kosova është duke e rikthyer dinjitetin politik. Siç është duke e rikthyer vetveten aty ku ka qenë gjithmonë: si djep i krenarisë dhe atdhetarisë shqiptare.

Për fat të keq të Kosovës, sot është duke ndodhur diçka perverse dhe e pabesueshme, por e vërtetë: shpeshherë, një pjesë e opozitës kosovare dhe Tirana zyrtare, më shumë e dëshirojnë dështimin e qeverisë aktuale të Kosovës se sa atë të Vuçiçit.

Andaj, para se t’i përgjigjemi pyetjes se kur do arrihet marrëveshja Serbi-Kosovë, ne do duhet t’i përgjigjemi pyetjes: si lejuam që fatin tonë kolektiv ta përcaktojnë ata që më të afërt e ndejnë Beogradin se sa Prishtinën,” theksoi publicisti shqiptar.

Publikime te ngjashme