Connect with us

Lajme

Këto janë katiegoritë që do të përfitojnë nga “Pakoja e Madhe” e mbështetjes financiare të Qeverisë!

Publikuar

me

Autoritetet shqiptare kanë vendosur të mbështesin disa kategori me një shumë të caktuar për të përballuar gjatë dimrit “impaktin e inflacionit të luftës”.

E quajtur “Pakoja e Madhe”, mbështetja prej 8 miliardë lekësh për 1 milion shqiptarë, do të shpërndahet nga qeveria në ditët e para të muajit janar.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama zbuloi gjatë të premtes një sërë kategorish që pritet të përfitojnë prej saj.

Fillimisht, infermieret me pagë nën 60 mijë lekë do të marrin 20 mijë lekë, ndërsa ato me pagë mbi 60 mijë, ashtu si edhe mjekët – do të marrin 10 mijë lekë.

Më shumë se 6 mijë mësues dhe edukatorë me pagë bruto nën 60 mijë lekë do të përfitojnë 20 mijë lekë, ndërkohë që 30 mijë mësues dhe edukatorë të tjerë, me pagë bruto mbi 60 mijë lekë, do të marrin 10 mijë lekë.

Efektivët e këmbësorisë, ushtarët bazë dhe nënoficerët nga Forcat e Armatosura, pavarësisht pagës së tyre të rritur, do të përfitojnë 20 mijë lekë nga “Pakoja e Madhe”.

Për zjarrfikësit është parashikuar gjithashtu një mbështetje prej 20 mijë lekësh nga “Pakoja e Madhe” e këtij dimri.

Inspektorët, nënkomisarët dhe komisarët e Policisë së Shtetit do të përfitojnë 10 mijë lekë, pas rritjes së pagave para disa muajsh.

Nga skema e mbështetjes, do të përfitojnë edhe pensionistët, familjet me ndihmë ekonomike, nënat kryefamiljare, paraplegjikët, tetraplegjikët, personat me aftësi të kufizuara dhe invalidët e punës.

Pensionistët do të marrin 8 mijë lekë nga “Pakoja e Madhe” dhe përftues do të jenë 695 mijë syresh.

8 mijë lekë do të shpërndahen për çdo familje me ndihmë ekonomike, ndërsa gratë kryefamiljare me ndihmë ekonomike do të përfitojnë 20 mijë lekë.

Personat me aftësi të kufizuar do të mbështeten nga qeveria gjithashtu me 8 mijë lekë.

Sipas qeverisë, kjo skemë mbështetjeje do të lehtësojë maksimalisht impaktin e inflacionit të luftës mbi konsumin bazë të këtyre kategorive në muajt e mbetur të dimrit.

/Albanianpost.com

Reklama