Këto janë disa nga vendet që kanë vënë kufizime ndaj rrjetit TikTok! Akuza për mbledhjen e të dhënave

2 minutes, 40 seconds Read

Këtë javë Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja lëshuan urdhëra për ndalimin e përdorimit të rrjetit TikTok një pajisjet qeveitare, ndërsa janë shtuar shqetësimet për sigurinë kibernetike dhe privatësinë që paraqet aplikacioni i ndarjes së videove.

Rrjeti TikTok, në pronësi të kompanisë kineze Bytedance, prej kohësh është shprehur se nuk ndan të dhëna me qeverinë kineze dhe se të dhënat e saj nuk ruhen në Kinë. TikTok po ashtu hedh poshtë akuzat se mbledh të dhënat e përdoruesve më shumë se firmat e tjera të mediave sociale, dhe këmbëngul se operon në mënyrë të pavarur nga menaxhmenti i saj.

Por shumë vende vazhdojnë të tregohen të kujdesshme në lidhje me platformën dhe lidhjet me Kinën.

Por cilat janë vendet dhe rajonet që kanë vënë kufizime ndaj rrjetit TikTok apo e kanë ndaluar përdorimin e tij?

INDIA

Në vitin 2020 India bllokoi tërësisht përdorimin e rrjetit TikTok dhe disa aplikacioneve të tjera kineze përfshirë aplikacionin e mesazheve WeChat, lidhur me shqetësimet për sigurinë dhe privatësisë. Masa erdhi pas një përleshje të trupave indiane dhe kineze në kufirin e debatueshëm në Himalaja ku u vranë 20 ushtarë indianë dhe u plagosën dhjetëra të tjerë. Kompanive iu dha një shans për të reaguar ndaj pikëpyetjeve për privatësinë dhe sigurinë. Bllokimi u bë i përhershëm në vitin 2021.

TAJVANI

Në dhjetor të vitit 2022, Tajvani ndaloi përdorimin e rrjetit TikTok në sektorin publik pasi Byroja Federale e Hetimeve paralajmëroi se rrjeti kinez përbënte rrezik për sigurinë kombëtare. Pajisjet qeveritare nuk lejohet të përdorin programe kompjuterike kineze, përfshirë aplikacionet si TikTok, Douyin, Xiaohongshu.

SHTETET E BASHKUARA

Shtetet e Bashkuara thanë këtë javë se agjencitë qeveritare kanë një afat 30-ditor për të fshirë aplikacionin TikTok nga pajisjet qeveritare, si rezultat i shqetësimeve të sigurisë për të dhënat e përdoruesve. Ndërkohë, disa ligjvënës amerikanë po kërkojnë që aplikacioni të bllokohet në mbarë vendin.

Kina kritikoi vendimin e Uashingtonit, duke e cilësuar si abuzim të pushtetit dhe shtypje të kompanive të huaja. Më shumë se gjysma e shteteve amerikane e kanë ndaluar përdorimin e aplikacionit në pajisjet qeveritare.

KANADAJA

Pas Uashingtonit, Kanadaja njoftoi të hënën se pajisjet e lëshuara nga qeveria nuk duhet ta përdorin rrjetin TikTok, duke thënë se paraqet një rrezik “të papranueshëm” për privatësinë dhe sigurinë. Pajisjet qeveritare nuk do të mund ta shkarkojnë aplikacionin në të ardhmen.

BASHKIMI EVROPIAN

Parlamenti Evropian, Komisioni Evropian dhe Këshilli i BE-së, tre organet kryesore të bllokut, kanë vendosur ndalimin e aplikacionit në pajisjet qeveritare. Njoftimi i Parlamentit Evropian për ndalimin futet në fuqi më 20 mars, ndërsa u ka rekomanduar ligjvënësve dhe punonjësve që të fshijnë aplikacionin nga pajisjet e tyre personale.

PAKISTANI

Autoritetet pakistaneze kanë ndaluar përkohësisht aplikacionin TikTok të paktën katër herë që nga tetori i vitit 2020, duke përmendur shqetësimet se aplikacioni nxit përmbajtje imorale./VOA

Publikime te ngjashme