fbpx

Këtë javë Kurti takohet me Macron dhe Scholz, u tregon qëndrimin e Kosovës për propozimin franko-gjerman

HomeLajmeKosovë

Këtë javë Kurti takohet me Macron dhe Scholz, u tregon qëndrimin e Kosovës për propozimin franko-gjerman

Qeveria e Kosovës tashmë ia ka dërguar presidentit të Francës, Emmanuel Macron dhe kancelarit të Gjermanisë, Olaf Scholz, propozimet e veta, pasi ka parë planin franko-gjerman, ka zbuluar zëvendës-kryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi.

Ai, jo vetëm që tashmë e ka pranuar që ekziston një plan i tillë, por ka deklaruar se “natyrisht që e kam parë”.

Në një intervistë të gjatë për Radio Evropa e Lirë, Bislimi ka pranuar të flas më në detaje rreth propozimit, por pa dhënë shumë informata rreth asaj se çfarë përmban dokumenti.

“Natyrisht që është parë. Është parë nga një grup shumë i vogël i njerëzve. Në këtë fazë unë nuk mund të flas për përshtypjet, vlerësimet tona apo propozimet tona, por mund të them që propozimet i kemi të shkruara dhe të dërguara te Scholz dhe Macron”, deklaroi Bislimi.

Por, kur do ta shohin qytetarët?

“U takon krerëve të shtetit të vendosin”, tha Bislimi, “por edhe atyre që kanë propozuar se kur është momenti që përmbajtja e idesë (propozimit franko-gjerman) të bëhet publike”.

Ajo çfarë ka mundur të ndajë zëvendësi i Albin Kurtit me publikun është se propozimi “pak a shumë, si pikënisje ka një brengë ndoshta te vendet mike si Gjermania dhe Franca që procesi i Brukselit nuk po ec me ritmin e duhur, që situata gjeopolitike në Ballkan nuk është edhe aq e mirë”.

“Andaj, edhe propozimi që del nga aty është në kontekst të këtyre zhvillimeve. Është një ide që raportet Kosovë-Serbi të zgjidhen në dy faza, ku një pjesë e madhe e kontesteve do të zgjidheshin tani, kurse një pjesë shumë e vogël që ata thonë është 1 për qind, por ne besojmë që është më shumë, do të liheshin për një periudhë të mëvonshme”.

Kosova do ta ketë një përgjigje definitive për këtë propozim shumë shpejt, ka treguar Bislimi.

Kur të udhëtojë Kurti për në Procesin e Berlinit, “aty do ta ketë mundësinë që pastaj në detaje ta informojë kancelarin gjerman, Olaf Scholz, dhe presidentin e Francës, Emmanuel Macron, i cili pritet të jetë në Berlin, për atë se cili është qëndrimi i palës kosovare për këtë propozim”.

Ndryshe, Albanian Post me 18 shtator ka publikuar “kornizën e re” të dialogut Kosovë-Serbi në të cilën thuhet se në vitin 2023 duhet të nënshkruhet marrëveshja e dytë për normalizim të marrëdhënieve, pas asaj të vitit 2013, me të cilën Serbia faktikisht e pranon realitetin e Kosovës shtet të pavarur, por nuk e njeh formalisht.

Në një fazë të mëvonshme, hipotetikisht pas 10 vitesh, atëherë kur BE-ja është e gatshme të zgjerohet dhe ta përfshijë Ballkanin perëndimor, arrihet marrëveshja për njohje të ndërsjellë, si parakusht i të dy shteteve për anëtarësim në BE.

Me marrëveshjen e vitit të ardhshëm (nëse pranohet propozimi) Kosovën e pranojnë edhe pesë shtetet që akoma nuk e kanë njohur të Bashkimit Evropian, kurse Serbia do të përfitojë një ndihmë masive financiare, asistencë ekonomike dhe do njihet si fuqia e rajonit.

“’Korniza e re’ të cilën e publikoi Albanian Post është propozimi i ri i ardhur direkt nga përfshirja e Macron e Scholz në procesin e dialogut, sepse siç thuhet në dokument ‘Kosova e Serbia në vete nuk do të mund ta zgjidhin kurrë problemin’”.

Dokumenti shpjegon logjikën prapa kornizës së re, përmban vizionin 10 vjeçar të zgjidhjes së problemit dhe jep një “makro-perspektivë”.

Përbëhet nga hyrja dhe më pas është i ndarë në tri segmente bashkë me tre nën-titujt që përmbajnë 13 pika.

Të gjitha segmentet shpjegojnë të ashtuquajturën “kornizën e re”, e cila u është prezantuar Albin Kurtit e Aleksandër Vuçiç-it.

Propozimi në fund parasheh edhe si të vazhdohet tutje nëse Kosova dhe Serbia nuk pranojnë këtë propozim./Albaninan Post