Connect with us

Kosovë

Këshilli Prokurorial kërkon nga Avokati i Popullit të dërgojë Ligjin për Pagat në Gjykatën Kushtetuese

Publikuar

me

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), ka bërë të ditur se ka kërkuar nga Avokati i Popullit që në zbatim të dispozitave kushtetuese dhe ligjore të referojë Ligjin për Paga në sektorin publik në Gjykatën Kushtetuese.

Përmes një komunikate për media nga KPK-ja është thënë se me hyrjen në fuqi të Ligjit për Paga cenohet pavarësia dhe funksionalizimi i sistemit prokurorial.

“Të gjitha pretendimet e ngritura nga KPK-ja, të cilat janë dërguar tek Avokati i Popullit, paraprakisht edhe tek hartuesit e këtij Ligji, janë të mbështetura në aktet dhe praktikat ndërkombëtare, të cilat kanë paraparë në mënyrë taksative se kur mund të zbritet paga e prokurorit të shtetit”, thuhet në komunikatë.

Tutje, nga ky këshill është paraqitur gatishmëria e plotë për të bashkëpunuar me Avokatin e Popullit.

“Me qëllim të referimit të këtij ligji në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës. KPK përkrah hartimin e një ligji për pagat në sektorin publik, i cili duhet të jetë i bazuar në praktikat dhe standardet më të mira ndërkombëtare dhe i cili nuk do të cenojë pavarësinë dhe funksionalizimin e asnjë pushteti”.

Edhe, Bashkimi Evropian kishte shprehur shqetësimin për disa dispozita të Ligjit të ri për Zyrtarët Publikë dhe Ligjit për Pagat dhe njëkohësisht ka shprehur zhgënjimin që Kuvendi i Kosovës nuk i mori parasysh sugjerimet e tyre dhe ekipit të ekspertëve nga OECD/SIGMA.

Qëllimi i komenteve dhe sugjerimeve të BE-së, ishte udhëzimi dhe mbështeja për qeverinë rreth sigurimit të një një shërbimi civil të depolitizuar dhe profesional, me një sistem kompensimi transparent e të bazuar në merita.

Ligji për Zyrtarët Publikë, sipas shqetësimeve të BE-së, opozitës dhe shoqërisë civile, cënon punën e administratës publike dhe politizon zyrtarët publikë pasi që pranimi në detyrë i nëpunësve civil, mbështetet mbi baza partiake.

Ndryshe, në seancën e fundit, pavarësisht thirrjeve të opozitës, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar Projektligjin për Zyrtarët Publikë dhe Projektligjin për Pagat.

Projektligji për Zyrtarët Publikë kaloi në lexim të dytë, ku 58 deputetë kanë votuar për, kurse katër kanë abstenuar ndërsa me 63 vota për, një abstenim dhe asnjë kundër, votuan Ligjin për Pagat.

Reklama