fbpx

Këshilli i Prindërve: Jemi të pafuqishëm, dikush duhet të mbajë përgjegjësi për mosmbajtjen e mësimit

HomeLajmeKosovë

Këshilli i Prindërve: Jemi të pafuqishëm, dikush duhet të mbajë përgjegjësi për mosmbajtjen e mësimit

Kryeministri i vendit, Albin Kurti sot ka takuar Këshillin Grevistë, me të cilët ka diskutuar për kërkesat e tyre si dhe mundësinë për të dal nga greva, me arsyen e vetme që të fillojë mësimi nëpër institucionet arsimore.

Por pas këtij takimi, përmes një prononcimi për media kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj tha se bisedimet kanë qenë përmbajtjesore, por nuk është arritur marrëveshje për ndërprerjen e grevës, ndërsa Kurti përmes një konferencë për media u shpreh se nuk është në pyetje arsimi e mësimdhënësit, por se “do ta marrim vesh në ditët e javët në vazhdim”.

Në lidhje me këto deklarata të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe kryetarit të SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, kryetari i Këshillit të Prindërve, Jeton Demi ka thënë se janë të pafuqishëm dhe se dikush do duhet të mbajë përgjegjësi për mos mbajtjen e mësimit.

Demi në një prononcim për Telegrafin theksoi se fëmijët janë duke u dëmtuar nga kjo grevë, pamëshirshëm dhe padrejtësisht.

Sipas tij, prindërit janë të zhgënjyer dhe janë duke u ndjerë të pabarabartë.

“Fëmijët tanë po dëmtohen direkt nga kjo grevë, pamëshirshëm e padrejtësisht. Prindërit janë të zhgënjyer ngase ndjehen të pabarabartë e krejt të pafuqishëm. Dikush do të duhej të mbante përgjegjësi për këto dëme shumë të mëdha, nëse duam të jemi shtet i drejtë për të gjithë qytetarët”, ka thënë Demi.

Ndryshe, ky takim u zhvillua pas ftesës që shefi i ekzekutivit i bëri Këshillit Grevist të cilët nga 25 gushti janë në grevë.

Që nga ajo kohë vazhdimisht grevistët kanë kërkuar takim me Kurti, i cili po ndodh në javën e tretë të grevave.

Grevistët, përfshirë edhe punëtorët e arsimit, janë në grevë me kërkesat kyçe 100 euro deri në hyrje në fuqi të Ligjit të pagave.

Vazhdimisht Këshilli Grevist ka akuzuar qeverinë se nuk po i fton në takim, kurse në fundjavë Kurti takoi vetëm kreun e BSPK-së, Atdhe Hykolli, për tu takuar sot edhe me Këshillin grevistë.

x